“Ethet” e merkatos sigurisht që kanë zënë vend edhe tek ai. Kjo është mëse normale. Një trajner për të punuar me një skuadër, dëshiron të ketë në dispozion lojtarë sa më të mirë. Shpëtim Duro megjithatë është i kënaqur për mënyrën si kanë shkuar gjërat deri tani tek Vllaznia. Ndonëse nuk janë plotësuar të gjitha dëshirat e tij por skuadra ka filluar të formatohet. Kanë ardhur deri tani katër futbollistë, i pesti është rrugës ndërkohë që duhen edhe 2-3 të tjerë.
Për këta të fundit, trajneri Duro, ka një kusht: “Duhet të jenë shumë cilësorë dhe nëse ndodh kështu, atëherë Vllaznia mund të matet si e barabartë me të gjitha ekipet pretendente. Ai ka pranuar të flasë për gazeten online “shkodrasport.com” për merkaton teksa ka thënë:
-Profesor, organika e Vllaznisë shtohet, madje me një emër të rëndësishëm siç është ai i Elvin Beqirit. Sa i rëndësishëm ishte ky përforcim për ju si trajner?
-Në fakt, ardhja e Beqirit ka qenë e paparashikuar nga ana ime. Gjithsesi unë e konsideroj shumë pozitive sepse kemi të bëjmë me një futbollist me mjaft përvojë, me mjaft eksperiencë dhe këto aftësi jam i bindur se ai do t’i vërë në shërbim të Vllaznisë.
-Nga ana tjetër, në ardhje duket edhe rumuni Dragoi….
-Ne shpresojmë që gjatë javës në vazhdim të na vijë edhe Dragoi. Me të kemi mbyllur çdo gjë sa i takon dokumentacionit dhe tashmë ka mbetur vetëm ardhja e tij dhe fillimi i stërvitjes. Janë përforcime të rëndësishme por ndërkohë për t’u kompletuar na duhen edhe 2-3 futbollistë të tjerë cilësorë.
-Duket se shqetësimi juaj i madh si trajner mbetet plotësimi i repartit të sulmit apo jo?
-Kjo është e vërtetë. Ne nuk kemi një sulmues kryesor aktualisht në skuadër. Alternativat kanë qenë disa për të gjetur lojtarin e duhur por për një arsye apo një tjetër, ne ende nuk kemi bërë gjë deri tani. E rëndësishme është që po vazhdojmë të bëjmë përpjekjet tona dhe me shumë siguri, do t’i gjejmë edhe sulmuesit e duhur.
-Dy seanca në ditë për futbollistët e rinj. Duket se dëshironi t’i kaloni mirë në sitë ata para se të vendosni për fatin e tyre?
-është pjesë e përgatitores. Ka futbollistë të rinj cilësorë, por ne duam futbollistë të rinj por që të mbajnë ngarkesën dhe të jenë pjesë e pretendimeve të Vllaznisë. Kontigjent janë shumë futbollistë të rinj dhe shumë prej tyre ndoshta më mirë që ta provojnë veten diku tjetër sesa të qëndrojnë pasiv tek Vllaznia.
-Beqiri, Dragoi dhe të tjerë që mund të vijnë në ditët e ardhshme. Kjo Vllazni, është ajo që dëshiron Duro?
-Tani është pjesa më e rëndësishme e merkatos. Këta 2-3 lojtarët që do vijnë, duhet të jenë cilësorë në mënyrë që të bëhemi konkurrues. Të mos harrojmë se disa skuadra të tjera pretendente kanë rreth 2 vite që punojnë me të njëjtin kontigjent lojtarësh dhe janë kompetitive. Për të rivalizuar me to, na duhen pra edhe disa lojtarë cilësorë. Përpjekjet janë të mëdha nga të gjitha strukturat e klubit por nuk është e lehtë sepse shumë lojtarë kanë qenë të angazhuar me skuadrat e tjera në Kupat e Europës, të tjerë nuk kanë gjetur akordin e duhur me klubin megjithatë të presim. Unë kam besim se kemi për të bërë gjëra të mira.
Gjergj KOLA