Partizani do të luajë sot kundër Vllaznisë (ora 16:45), ndeshje e vlefshme për javën e 17-të të Superiores. Kjo sfidë është e veçantë për Erald Çinarin dhe gjithë familjen e tij.
Shkodrani do të luajë sot përballë ish ekipit të tij, Vllaznisë. Futbolli një traditë familjare për sulmuesin e kuq ka shtuar emocionet edhe te gazetari sportiv, Endri Çinari.
Ky i fundit prej kohësh moderator në një emision sportiv në televizionet lokale në Shkodër, ka bërë një postim ku tregon dy fanelat që do të ndeshen sot me njëra-tjetrën, të Vllaznisë dhe të Partizanit, por që mbajnë mbiemrin e Eraldit. 24-vjeçari është rritur dhe afirmuar nga ekipi shkodran, ndërsa te Partizani po pret të shpërthejë të bëjë hapin e madh në karrierë.
“Dilema”, shkruan Endri Çinari në rrjetet sociale. Një situatë sa e bukur dhe e sikletshme, të bëjë tifo për Vllazninë e zemrës së tij apo të mbështesë çunin e “axhës” për t’i shënuar pikërisht shkodranëve. Këtë herë në familjen e Çinarit me siguri ia kanë lënë fushës që ta thotë fjalën e fundit…/newsport/