Emil Hallfredson do të jetë një nga pikat më të forta të Islandës për ndeshjen kundër Shqipërisë të shtunën dhe kjo është e kuptueshme, pasi mesfushori i cili është pjesë e Udinezes në Serinë A, është një ndër lojtarët më me eksperiencë në radhët e përfaqësueses ishullore.
Veterani i mesfushës, në një intervistë për mediat në vendlindje, ka shpjeguar edhe se çfarë pret ai nga ndeshja e fundjavës, ndërsa ka shpjeguar pak se si luan Shqipëria, meqë e ka pasur përballë disa vite më parë, apo njeh lojtarët kuqezinj falë eksperiencave në Serinë A.
“Këto ndeshje ndaj Shqipërisë dhe Turqisë janë shumë të rëndësishme për kualifikueset tona. Shqipëria ka një model loje italian dhe një trajner të vjetër që ka bërë gjëra të mira në Itali, si për shembull kur drejtoi atje Napolin.
Ajo është një skuadër e cila luan e mbyllur me shumë forca mbrapa, por ka dëshirë të mbajë topin kur janë në zotërim dhe janë të “pistë” në mënyrën se si përballojë ndeshjen. Ata bjënë ndërhyrje të ashpra deri aty ku ua lejon gjyqtari”, tha mesfushori.
“Nëse ne duam t’i bashkohemi luftës për të ecur para në kualifikuese, atëherë ne duhet të arrijmë rezultat të favorshëm të shtunën dhe do ia dalim ta bëjmë një gjë të tillë. Megjithatë, kjo do të jetë një ndeshje e luftuar dhe do të na duhet shumë punë për të siguruar fitoren”, parashikoi ai. /vipsport/