Në barazimin 1-1 ndaj Teutës, ka marrë jo pak kritika. Për ndonjë gabim në mbrojtje apo për mënyrën si ka luajtur. Mevlan Adili e ka të qartë se kritikat të bëjnë mirë dhe asnjëherë nuk i është shmangur atyre.
Për të e rëndësishme është që skuadra të shkojë përpara, pavarësisht se kush luan në fushë dhe kuptohet që nuk duhet ndalur tek emrat e përveçëm. Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Arena” në televizionin Rozafa, ku është shprehur:
“Nuk duhet ta mbajmë mendjen tek ajo ideja se nëse nuk pësojmë gol jemi në rregull. Sezonin e kaluar në plot 17 ndeshje nuk kemi pësuar gol, megjithatë nuk dolëm kampionë. Shpresoj që sivjet, pse jo të pësojmë më shumë gola, por të dalim kampionë.
Kuptohet që kur humbet një ndeshje, barra më e madhe bie mbi Gurishtën e Adilin, dihet ajo punë. Natyrisht që ne e mbajmë këtë përgjegjësi sepse prej gati tre sezonesh luajmë sëbashku dhe e mbajmë përgjegjesinë kur na takon ne. Nuk i kemi ikur asnjëherë asaj.
Unë jetoj në Shkodër dhe çdo ditë komunikoj me tifozët dhe e shoh sesi jetojnë me futbollin dhe me Vllazninë. Madje shoh që tifozët diskutojnë edhe për skemën e formacionin. Japin mendimin nëse duhet luajtur me 3-5-2 apo 4-3-3.
Tifozët i shoh që flasin me shpirt, edhe kur na kritikojnë. E bëjnë këtë pa asnjë interes. Nëse kritikohem unë, padyshim që i humbur në këtë mes jam vetëm unë. Vllaznia ka filluar ta marrë veten, ka filluar të ndërtojë ura dhe jo mure.
Me mua apo pa mua, Vllaznia do të shkojë para, duan apo nuk duan njerëzit. Ajo ka filluar të ecë përpara dhe çdokush ka dëshirë të jetë pjesë e këtij ekipi, pjesë e këtij suksesi, pjesë e kësaj Vllaznie”./SHKODRA-SPORT.COM/