Mhill Shkëmbi, një prej figurave të njohura të arbitrimit tonë ka qenë i ftuar mbrëmë në Star Sport. Ai ka komentuar për luhatjet e Vllaznisë këtë sezon duke i konsideruar të çuditshme. Po ashtu ai bën thirrje edhe për drejtuesit e arbitrave në FSHF që ti vlerësojnë këto ndeshje. Duke dërguar kështu arbitrat më të përgatitur në duelet e Superiores.

Shkëmbi tha: “Nuk e kuptoj një Vllazni të tillë që me Tiranën e Partizanin ka një fytyrë krejt tjetër e kur vjen rasti të përballet me ekipet e vogëla ndryshon. Më duket shumë e çuditshme një performancë e tillë e Vllaznisë. Duket sikur ndeshje të tilla nuk i përgatisin si duhet ose edhe i nënvlerësojnë.

Por diçka e tillë nuk duhet të ndodhë sepse në një mënyrë të tillë ikën edhe kampionati. Ky më duket se është viti i duhur për të pretenduar titullin kampion dhe unë jam optimist.

Kjo pasi skuadra i ka mundësitë dhe cilësitë për gjëra të mëdha. Tifozët nuk duhet të zhgënjehen sërish dhe kjo javë mund të jetë vendimtare, duke parë ndeshjen në kupë kundër Partizanit dhe atë në kampionat kundër Teutës.

Arbitrat? Federata duhet ti vlerësojë shumë këto javë. Kjo pasi mund të vendoset shumë për fatet e sezonit për shumicën e ekipeve. Dhe në këtë mënyrë duhet të dërgojnë gjyqtarët më të përgatitur në duelet e kësaj fundjave e në vijim”.
Endri ÇINARI