Ylli i karatesë italiane me origjinë nga Lezha, Mikela Skandaj, vazhdon të dhurojë spektakël në arenën ndërkombëtare. Pasi e mbylli vitin 2025 si kampione me dy medalje të arta, ajo e ka nisur në të njëjtën mënyrë edhe vitin 2026, duke konfirmuar formën e saj të jashtëzakonshme.
Së fundmi, Skandaj mori pjesë në një garë ndërkombëtare të zhvilluar në Lecco të Milanos, ku konkurruan karateistë nga vende të ndryshme të Europës. Ajo garoi në peshën 60 kg, në dy disiplina: kata dhe kumite open.
Falë një performance të shkëlqyer, Mikela siguroi menjëherë zonën e medaljeve. Në finalen e parë, ajo realizoi një paraqitje shumë të fortë, duke grumbulluar 25.3 pikë, me një mesatare mbi 8.4. Megjithatë, vendimi përfundimtar i arbitrave shkaktoi polemika. Trajneri i saj e kontestoi vlerësimin, ndërsa vetë arbitri kryesor, sipas kampiones, pranoi se ajo e meritonte vendin e parë, por vendimi i anësorit ndikoi në rezultatin final. Kështu, Skandaj u detyrua të kënaqej me medaljen e argjendtë.
Por kampionet e vërteta reagojnë në fushë. E motivuar edhe nga trajneri i saj, i cili i kërkoi të tregonte forcën dhe karakterin e një vajze shqiptare, Mikela u rikthye fuqishëm në garat pasuese. Ajo arriti sërish në finale dhe këtë herë nuk la vend për diskutime, duke fituar medaljen e artë.
Sfida e radhës ishte edhe më e vështirë. Përballë kishte kundërshtare me peshë më të madhe, por falë teknikës së lartë dhe përgatitjes së shkëlqyer, Skandaj dominoi dhe rrëmbeu edhe medaljen e dytë të artë të turneut. Në përfundim, juria e garës e vlerësoi talenten lezhjane me çmimin e lartë si “Karateistja më e mirë” e aktivitetit.
Mikela u kthye në Verona me dy medalje të arta dhe një të argjendtë, duke e çuar në 70 numrin total të medaljeve në karrierën e saj – një bilanc që flet qartë për potencialin dhe përkushtimin e saj në sportin e karatesë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”



