Me fitore e ka mbyllur ndeshjen e javës së 21-të Vllaznia B. Ajo është ndeshur me ekipin e Gramshit në fushën “Reshit Rusit” dhe ka triumfuar me përmbysje në shifrat 2-1 në përfundim të takimit.

Duhet thënë se gramshiotët vinin si pretendent për ta fituar këtë ndeshje ngaqë ndodhen në vendin e dytë të renditjes dhe kërkonin fitoren për të ruajtur hapin e Tërbunit që kryeson renditjen.

Dhe fillimi i ndeshjes ka qenë i mbarë për Gramshi që ka shënuar në minutën e 31-të me anë të Zaimit. Pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin 1-0 për miqtë, por në të dytën gjërat do të ndryshonin.

Në minutën e 53-të ka qenë sulmuesi Albert Mila ai që ka barazuar shifrat dhe tre minuta më vonë do të ishte rradha e mbrojtësit Khaled Hoxha për të shënuar golin e dytë dhe njëkohësisht të fitores për Vllaznia B.

Me këtë fitore ekipi shkodran i drejtuar nga trajneri Ervis Kraja “i ka bërë nder” Tërbunit (që vetë ka fituar ndaj Tirana B) duke e shkëpëtur atë tashmë në shtatë pikë nga Gramshi dhe kategoria e parë për pukjanët është gjithnjë e më pranë.

Kuqeblutë ndërkohë janë ngjitur në kuotën e 37 pikëve dhe mbajnë vendin e shtatë në renditje duke qenë disi larg pretendimeve që patën në fillim të sezonit, por që për arsye të ndryshme ndryshuan rrugës.
© shkodrasport.com