Milani ka filluar që tani lëvizjet për sezonin e ardhshëm. Dhe shumëçka lidhet me dy emra: Brahim Diaz dhe Sharl De Keteleare, për të cilët “La Gazzetta Dello Sport” zbulon lëvizjet e fundit në klubin kuqezi.
I pari është një emër që kuqezinjtë po provojnë të mbajnë me çdo kusht. Sipas akordit me Real Madrid, mund të rinovojnë marrëveshjen që kanë për huazimin e tij, por ndërkohë po tentohet që të blihet kartoni i futbollistit i cili në këtë edicion duket se ka bërë hapin cilësor që pritej prej tij që nga momenti i parë kur u afrua në klub.
Gjatë javës është planifikuar një takim me babain e lojtarit i cili ka rolin e menaxherit dhe aty do të detajohen më shumë bisedimet në mënyrë që Brahim Diaz të vazhdojë të jetë pjesë e projektit kuqezi.
Ndërkohë, ndryshe është situata me De Ketelare. Futbollist belg ka një ngërç i cili sa vjen e shtohet edhe nga fakti se Pioli nuk ka më kohën në dispozicion për ta pritur. Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, nuk po mendohet largimi i tij përfundimtar, por huazimi në një ekip tjetër ku ai të luajë rregullisht dhe të rigjejë veten. Ky ekip mendohet se është Monza me Adriano Galianin i cili është gati t’i besojë futbollistit belg në sezonin e ardhshëm një vend në ekip.