Milani po punon për të sjellë në San Siro fantazistin serb, Duzhan Tadiç, të cilin e sheh si zëvendësuesin ideal të Çalhanoglusë. Lojtari i Ajaksit duket se edhe vetë po mendon për të ndërruar ambient, prej faktit se në Holandë ka fituar çdo gjë për sa u përket kompeticioneve kombëtare.

Ai është gjithashtu një nga protagonistët e aventurës së “Harkëtarëve” deri në gjysmë finale të “Champions League”, që u mbyll me një eliminim të befasishëm përballë Totenhem Hotspur. Paolo Maldini e ka ndjekur me kujdes lojtarin dhe për këtë po mendon seriozisht për të nisur negociatat me klubin e Ajaksit.

Serbi duket se ka thënë po dhe është gati të pranojë 4 milionë euro në sezon (që janë shumë më mirë në krahasim me 2,3 milionët që merr në Holandë). Drejtori sportiv i Ajaksit, Mark Overmars, duket se ka dalë kundër transferimit duke theksuar kontratën e numrit 10 me bardhekuqtë, e cila skadon në vitin 2023.

Në rast se kjo tratativë dështon, “Djalli” mund të synojë të firmosë me trekuartistin e Realit të Madridit Isko. Spanjolli nuk është prej kohësh një nga protagonistët në ekipin Merengue dhe e ka menduar disa herë të largohet nga kryeqyteti.

Mosgrumbullimi në kombëtare për “Euro 2020”, mund të bëjë që Isko të marrë në konsideratë kalimin tek ekipi i Piolit, duke parë që në Milano, ai mund të kthehet në formën e tij të dikurshme.

Spanjolli e ka shfaqur në rrjetet sociale dashurinë që ka për qytetin e Milanos, duke u shprehur se do dëshironte që një ditë të luante aty. Marrëdhëniet shumë të mira mes drejtuesve të Milanit dhe atyre të Realit, mund ta lehtësojnë arritjen e marrëveshjes.

Duhet theksuar nga ana tjetër se Karlo Ançeloti mund të dëshirojë ta mbajë në ekip fantazistin me të cilin fitoi “la decima”- n. Pra, merkatoja e Milanit këtë vit pritet të ketë shumë të papritura.