Megjithëse Lukas Paketa është ai që do të qëndrojë më gjatë jashtë fushe (20-30 ditë), Gatuzo duhet të bëjë llogaritë edhe me disa dëmtime të tjera për takimin e sotëm. Kesi ka një acarim të gjurit dhe është stërvitur vetëm dy ditë, ashtu si edhe Suso.

Edhe Çalhanoglu ka një problem të vogël muskulor që mund ta privojë nga ndeshja e sotme, ndaj Rino ka provuar dje ekipin anti-Juve me Borinin në krahun e djathtë të sulmit.

Me Kontin e Donarumën që kthehen pas një jave, Milani rrezikon të humbasë edhe Romanjolin për sfidën e sotme. Kapiteni dje ka gdhirë me temperaturë dhe situata e tij do të monitorohet. Problematikat e ndryshme dhe të shumta thuajse e detyrojnë Gatuzon për skemën (4-3-3) dhe titullarët.

Në sulm do të jetë Piontek, ndërsa Kutrone do ta nisë nga stoli. Mesfusha i besohet rishtazi Bilias, me Bakajokon e Kesin në krahë. Reina titullar, do të ketë përpara vetes linjën e zakonshme mbrojtëse nëse Romanjoli ia del.