Vllaznia rinis përgatit jet. Pas ndërprerjes dyditore të procesit stërvitor, skuadra më në fund i është rikthyer fushës së blertë. Kërcënimet janë hedhur pas krahëve dhe lojtarët kanë nisur që të punojnë për ndeshjen e radhës, të cilën do ta luajnë më 13 prill kundër Erzenit në transfertë.

E megjithatë, ajo që ra në sy ishte mungesa e Agim Canajt. Trajneri nuk ka qenë i pranishëm dhe seanca është drejtuar prej Safet Osjas dhe Ideal Lekiqit.

Zyrtarisht, në klub thonë që vlonjati i emëruar vetëm pak ditë më parë në krye të kuqebluve ka marrë leje. Ai ka udhëtuar në drejtim të Anglisë për arsye personale, duke përfituar edhe nga pushimi që kalendari i ka rezervuar këtë fundjavë. Nga sa mësohet, 56-vjeçari ka shkuar te vajza e tij, e cila jeton në Angli, ndaj edhe është shkëputur për disa ditë.

Dilemat për këtë mungesë janë realisht të mëdha, por nuk përjashtohet as mundësia që të jetë rastësore që largimi i Canajt nga Shqipëria erdhi pikërisht pas kërcënimeve. Ndaj, mbetet që të shihet në ditët e ardhshme nëse tekniku ka vërtet një problem personal apo ka lënë drejtimin e Vllaznisë./panoramasport/