Pavarësisht mungesës në kupat evropiane, Milan e ka mbyllur sezonin e kaluar me një bilanc financiar pozitiv, duke arritur të ardhura totale prej rreth 500 milionë eurosh – një rekord historik për klubin. Krahasuar me një vit më parë, kjo përfaqëson një rritje prej 10%, që është përkthyer në 3 milionë euro fitim neto.

Sipas mediave italiane, ky është viti i tretë radhazi me fitim për kuqezinjtë, falë të ardhurave nga Liga e Kampionëve dhe shitjeve të lojtarëve, mes tyre Reijnders te Manchester City dhe Kalulu te Juventus.

Aktualisht, vlera neto e klubit ka arritur në 199 milionë euro, duke i dhënë Milanit stabilitet të fortë financiar dhe një bazë të sigurt për sezonin 2025/26, i cili do të zhvillohet pa të ardhura nga garat ndërkombëtare.

Në dy vitet e fundit, klubi ka investuar mbi 250 milionë euro bruto në blerjen e lojtarëve, duke ndjekur filozofinë e pronarëve të RedBird Capital: çdo euro e fituar, riinvestohet në klub. Nga ekipi i parë te akademia e të rinjve e deri te infrastruktura, qëllimi është ndërtimi i një projekti afatgjatë dhe të qëndrueshëm.

Ndërkohë, vëmendja e klubit është përqendruar te projekti i stadiumit të ri. Pas miratimit nga Bashkia e Milanos për blerjen e zonës së San Siros nga Milan dhe Inter, klubi sheh mundësi të reja zhvillimi, ndërsa vazhdon paralelisht edhe projekti në San Donato, ku Milan ka investuar mbi 40 milionë euro.