Sporti deri më tani ka mbetur jashtë paketës së ndihmës që po jep qeveria. Deri më tani janë ndaluar të gjitha aktivitetet dhe klubet sportive dhe ato të futbollit në veçanti e kanë pasur të vështirë t’i likuidojnë lojtarët, për shkak se edhe bizneset e tyre janë mbyllur.

Në këto kushte, FSHF, Liga Profesioniste e Futbollit dhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë, kërkuan nga qeveria që t’i hidhte sytë edhe nga futbolli dhe të ndihmonte qoftë edhe me një pagë minimale në këto kushte të vështira.

Qëndrimi kryeministrit Edi Rama ka qenë i qartë, teksa ai është shprehur se nuk është koha të ndihmojë futbollin. Së fundmi një qëndrim e ka mbajtur edhe Anila Denaj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë. Në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit, që transmetohet në TV Klan, ajo është pyetur nga një ndjekës i emisionit dhe ka qenë e qartë: Sportistët do përfshihen në paketë, vetëm në rast se dalin të papunë.

Pyetja: Po ne sportistët pse nuk jemi të përfshirë në paketat e qeverisë? Ne me atë pagë mbajmë familjen.

Përgjigja: Kjo nuk ka të bëjë, unë e thashë edhe kur folëm për pjesën e bujqësisë dhe nuk flasim me sektorë të caktuar. Sigurisht që marrëdhënia e futbollit është një marrëdhënie biznesi e drejtpërdrejtë me klubet dhe ka edhe një stimul që brenda klubeve është thënë pak ditë më parë.

Adresimi që ai bën është përtej asaj që ndodh me klubet, apo rast i tij specifik? Nëse klubi nuk e ndihmon fare dhe nuk ka asnjë marrëdhënie, duke dalë kështu i papunë, sigurisht që do të jetë pjesë e asistencës tonë. /abcnews/