Vllaznia vuajti disi për të arritur kualifikimin në kupën e Shqipërisë kundër Flamurtarit. Shkodranët arritën të fitonin me rezultatin 3–0, por pas 30 minutave shtesë ku koha rregullt kishte përfunduar 1-0. Dhe si pasojë e fitores 2-1 në ndeshjen e parë të vlonjatëve gjithçka u vendos pas shtesës.

Një nga lojtarët që u bë protagonist me hyrjen e tij në fushë ishte edhe Arsid Kruja. Mesfushori u aktivizua nga Josa në minutën e 75-të të ndeshjes duke zënë vendin e Çobes. Hyrja e 29-vjeçarit u duk se i dha një ritëm tjetër formacionit kuqeblu që realisht nuk është se po prodhonte një lojë sulmuese në ato minuta.

Futbollisti polivalent ishte protagonist në golat e shënuar në shtesë. Ku tek goli i Aralices, aksioni u nis pikërisht nga Kruja, pavarësisht se topi shkoi disi me fat në këmbët e kroatit. Po ashtu Kruja gjeti edhe vetë rrjetën dhe golin e tretë për kuqeblutë pas një asistimi mjeshtëror të Esat Males.

Shenja pozitive këto nga numri 14, që në këtë sezon minutat i ka pasur me pikatore. E pavarësisht kësaj asnjëherë nuk ka krijuar polemika, duke dhënë më të mirën për Vllazninë sa herë ka zbritur në fushë.

Tashmë edhe Kruja mund të shihet si një alternativë serioze si titullar në fundjavë kundër Laçit. Kjo edhe për performancën e mirë të shfaqur së fundmi, apo edhe për vetë mungesat që do kenë shkodranët përballë kurbinasve.
Endri ÇINARI