Nga Endri ÇINARI

Sonte në orën 20:45, kombëtarja shqiptare do rikthehet në aktivitet. Kjo në një miqësore kundër Kilit që do zhvillohet në Parma të Italisë. Një duel që do shërbejë për përgatitjet e Europianit 2024 që do startojë në qershor në Gjermani. Kurioziteti për të parë kuqezinjtë në aksion është goxha i lartë.

Por nga informacionet që kanë dalë së fundmi duket se nuk do ketë ndryshime të shumta nga kualifikueset e europianit. Sylvinho do vendosë mes shtyllave Strakoshen, kjo si pasojë e mungesës së Berishës. Ku gardiani i Empolit po vuan një dëmtim që e ka lënë jashtë grumbullimit. Në mbrotje të paprekshëm janë Hysaj nga e djathta dhe Mitaj nga e majta.

Gjimshiti po ashtu është një siguri më vete në qendrën e mbrojtjes. Partneri i tij në ndeshjen e sotme ndaj Kilit me siguri do jetë Kumbulla, që rikthehet pas më shumë se 1 viti në kombëtare. Treshja e mesfushës mbetet e pandryshuar për trajnerin brazilian. Ku forcës dhe grintës së Ramadaniti shtohen edhe klasi i Asllanit me Bajramin. Një mesfushë kuqezi “made in Serie A”, duke pasur parasysh se të tre futbollistët luajnë në kampionatin italian.

Nga krahët e sulmit pritet dyshja e kualifikueseve, Seferi majtas dhe Asani djathtas. Ku dy futbollistët priten në mbështetje të Armandi Brojes. Sulmuesi i Fulham pritet si titullar. Ku pavarësisht minutave jo të shumta në Angli këtë sezon, Sylvinho do të provojë 22-vjeçarin. I cili patjetër është një lojtar klasi për kombëtaren tonë./www.shkodrasport.com/