Vllaznia do luajë ditën e nesërme një miqësore para rivijimit të kampionatit. Shkodranët do kenë përballë skuadrën e Kastriotit. Një kundërshtar që garanton një ndeshje të vërtetë përgatitore dhe jo nga ato miqësoret e thjeshta. Takimi do luhet në orën 14:00 në stadiumin “Loro Boriçi” ditën e nesërme.
Patjetër që kjo ndeshje do jetë një takim për të “nxehur” muskujt para takimit zyrtar me Partizanin në kampionat. Ku ndaj të kuqve do luhet në datën 13 janar në Tiranë. Dhe jo vetëm për të mbajtur në tonus lojtarët, por kjo miqësore ndaj krutanëve mund të jetë përcaktues edhe për të ardhmen e ndonjë prej futbollistëve aktualë të kuqebluve.
Kjo pasi merkato tashmë është e hapur dhe shumë emra janë diskutuar për të lënë shkodranët. Për disa emra nesër do jetë një “provë” për të bindur trajnerin Josa dhe stafin teknik. Pavarësisht se duket se asnjë prej futbollistëve aktualë nuk duan largimin nga Shkodra dhe kërkojnë që kontratat e tyre të respektohen deri në fund.
Megjithatë gjuha e përbashkët mund të gjendet nëse futbollistët janë totalisht jashtë planeve. E patjetër që ata do kërkojnë një sistemim tjetër në karrierën e tyre gjatë merkatos dimërore.
Endri ÇINARI