Veleçiku dhe Basania janë ndeshur pasditen e djeshme në një miqësore të luajtur në fushën sportive të kompleksit “Vëllezërit Duli” në Koplik dhe në përfundim të saj kanë qenë vendasit ata të cilët kanë fituar me rezultatin 2-0.

Ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të ekipeve tona kombëtare ka bërë që stafet teknik të ekipeve ta shfrytëzojnë për të zhvilluar ndonjë ndeshje miqësore dhe kështu kanë vepruar edhe dy ekipet veriore, pjesmarrëse në kampionatin e kategorisë së dytë.

Duhet thënë se miqësorja ka nisur me gol për Veleçikun teksa ka qenë futbollisti Rragami ai që e ka kaluar në avantazh skuadrën e tij, ndërkohë që në pjesën e dytë ka qenë Bajrakurtaj që ka shënuar edhe golin e dytë dhe të fundit të kësaj ndeshje.

Tek Basania formacioni nuk ka qenë i plotë dhe trajneri Haxhiosmanoviç nuk i ka patur të gjithë lojtarët në dispozicion. Kujtojmë që mesjavën e ardhshme ajo do të udhëtojë drejt Korçës për ndeshjen e Kupës me Skënderbeun, ndërsa fundjavën tjetër do të presë në fushën e vet Luzin pretendent.

Nga ana tjetër, Veleçiku ndeshjen e rradhës për kampionat do ta ketë në fushën sportive “Reshit Rusi” ndaj KF Shirokës. Një ballafaqim shumë interesant që pritet me interes në të dy kampet.(www.shkodrasport.com)