Pas dorëheqjes së trajnerit Arsim Thaqi, tashmë Drita e Gjilanit në Kosovë është në kërkim të një emri të ri për stolin. Në fakt, një nga kandidaturat e përmendura ka qenë edhe ish-trajneri i Vllaznisë pak kohë më parë, Mirel Josa.
Së fundmi, Josa thuhet se ka pranuar ofertën e klubit gjilanas nga Kosova dhe mesa duket, tekniku kryeqytetas do të jetë trajneri i ri i Dritës.
Kështu, në një komunikim me RTSH Sport, Josa e ka pohuar ofertën e klubit nga Kosova, duke theksuar edhe faktin se ka pasur kontakte me drejtuesit e këtij ekipi që në dhjetor të vitit të shkuar kur ishte te Vllaznia.
“Po, kam patur kontakte me Dritën, madje që të jem i sinqertë, kam patur kontakte me ta që në dhjetor të vitit të shkuar, por atëherë isha tek Vllaznia. Më ka kapur disi të papërgatitur kjo situatë”-tha Josa.
Tashmë mesa duket, Mirel Josa do të ketë një duel për titullin kampion në Kosovë me një njohje të vjetër si Ilir Dajën, 56-vjeçarin që po drejton me sukses Ballkanin.
Për më tepër, ky do të jetë një rikthim në Kosovë për Josën, që ka drejtuar për pothuajse dy vite Prishtinën, duke fituar edhe trofeun e Kupës në 2018-tën.
Maringlen ZHIVANI