Kampionatet e moshave kanë hyrë në fazat e tyre më interesante, teksa tashmë po i drejtohen fundit dhe si rrjedhojë të gjithë ekipet duan t’i bëjnë një mbyllje ashtu si duhet atyre.

Pasditën e sotme në Barbullush, është zhvilluar një ndeshje shumë interesante, ajo për grupmoshën U17, në mes ekipeve Murlani dhe Basania.

“Derbi” i të dy ekipeve të Bashkisë Vau-Dejës ka dhuruar emocione, garë dhe rivalitet të fortë nga minuta e parë dhe deri në fund. Pavarësisht përpjekjeve të dy ekipeve, pjesa e parë do të mbyllej në barazim 0-0. Megjithatë, në këtë pjesë Murlani U17 do të mbeste me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq, me dy të verdhë të Xhahysës.

Në të dytën, është Basania më kërkuese dhe madje ka edhe mundësi të kalojë në avantazh, por nuk i shfrytëzon siç duhet. Në minutën e 67-të, Murlani U17 mbetet me 9 lojtarë, tashmë pas daljes direkt me karton të kuq të Kamerit.

Pak para fundit, më konkretisht në të 88-tën, është Pjetri i Basanias që dërgon topin në rrjetë dhe kalon ekipin e tij në avantazh. Ky do ishte goli i parë për Basanian dhe i fundit i kësaj ndeshje, që u mbyll me fitoren e këtyre të fundit me shifrat e ngushta 0-1.

Pas kësaj fitoreje, Basania U17 kryeson renditjen e klasifikimit, me 44 pikë, një më shumë se Scutari i vendit të dytë dhe dy më shumë se Burreli i vendit të tretë. Ndërkohë, nga ana tjetër Murlani U17 renditet në vendin e parafundit, me vetëm 6 pikë.

Ajo që duhet thënë është se futbolli i moshave në Shkodër ka fituar së fundmi një “derbi” shumë interesant, që natyrisht do të dhurojë emocione edhe në të ardhmen.
Maringlen ZHIVANI