Tomas Myler vazhdon të tregojë se është një nga futbollistët më të rëndësishëm për Bajernin e Mynihut në këtë sezon. Me sa duket, periudha e errët nën drejtimin e Pep Guardiolës, por edhe e ish-trajnerit Niko Kovaç, të cilët respektivisht e nxorën nga roli dhe më pas e bënë që të humbte nen hijen e pankinës për disa sezone me radhë, tashmë është vetëm një ëndërr e keqe, sepse Myleri është rikthyer protagonist dhe ndoshta tashmë edhe trajneri i Kombëtares së Gjermanisë, Joakim Lëv, po mendohet se ka bërë shumë gabim, që i ka mbyllur dyert e “Pancerave”.

Por për fatin e mirë të Tomasit, në krye të skuadrës mbërriti Hansi Flik, një personazh që e njihte mirë që nga periudha si ndihmës i Lëvit, por edhe një nga personat që tregoi se ndoshta ka qenë edhe kundër Kovaçit për mënyrën se si kroati e përdorte sulmuesin. Sepse Myleri me Flikun jo vetëm që u kthye titullar i paprekshëm, por edhe me rolin e ri në fushë është rikthyer që të jetë një minë me sahat për skuadrat kundërshtare, por mbi të gjitha një xhevahir për bavarezët, duke qenë se ndaj Leverkusenit ai u ngjit në kuotën e 20 asisteve për gol, duke vendosur diçka të paarritshme nga askush tjetër.

Rekordi për asistet mbahej nga Emil Frosberg me 19 të tillë, i ndjekur nga Kevin De Bryjne (kur luante me Volfsburgun) me po të njëjtën shifër. Por Myler me pasimet për golin e dytë të shënuar nga Leon Gorecka dhe të katërtin që mban firmën e Robert Levandovskit mund të shijojë arritjen personale.

Gjithsesi, kush mendonte se 30-vjeçari do të mburrej me këtë fakt, gabohet rëndë, duke dëgjuar fjalët e tij. “Unë kam thyer rekord? Fantastike, nuk e dija, shprehet Myler duke qeshur. – Sigurisht që është një gjë që më gëzon pasi tregon se po bëj një punë të mirë në skuadër. Po për mua ajo që ka më shumë rëndësi është suksesi i Bajernit. Nëse skuadra fiton dhe tifozët gëzohen, pak rëndësi ka se kush shënon apo shërben. Jemi një skuadër e cila fiton, barazon dhe humbet së bashku. Askush nuk mund t’ia dalë i vetëm”.

Në lidhje me suksesin në Leverkusen, Myler tha se ishte një tjetër provë force e kaluar me sukses. “Leverkuseni është një skuadër që i kishte fituar të gjitha ndeshjet që nga rinisja e kampionatit. E dinim se do të ishte e vështirë dhe ishim motivuar në maksimum. Besonim në forcat tona edhe pse e pamë veten në disavantazh.

Tani gjithçka do të varet vetëm nga ne. Janë edhe pak ndeshje në dispozicion deri në fundin e kampionatit. Do të vazhdojmë të japim më të mirën tonë për të bërë të lumtur tifozët të cilët na kanë ndjekur në këto kohë të vështira nga shtëpia. Në fund, u premtoj atyre që do të festojmë së bashku, pasi ky sezon nuk do të kishte kuptim pa ta”.