Lacio e këtij sezoni është një nga ekipet më të mirë në Europë dhe si e tillë do të jetë “e sulmuar” në merkato nga ekipet e mëdha. Një nga lojtarët më të kërkuar është Sergej Milinkoviç-Saviç. Prej disa sezonesh serbi është lojtari kryesor në mesfushë, por në edicionin e ardhshëm Igli Tare pritet të privohet nga shërbimet e tij.

Mediet italiane mësojnë se presidenti Lotito ka dhënë dakordësinë për largimin e mesfushorit. Kështu, drejtorit Igli Tare nuk i mbetet gjë tjetër veçse të nisë menjëherë kërkimet për zëvendësuesin e 22-vjeçarit. Vlonjati nuk ka kërkuar shumë dhe nuk ka shkuar as larg për të gjetur një lojtar të ngjashëm me Saviç.

Rodrigo De Paul i Udinezes që nga merkato e verës së shkuar përflitet për një kalim në një prej klubeve më të mirë të Serie A dhe duket se ka ardhur momenti i duhur. Igli Tare e ka thirruar në apel dhe vështirë se mesfushori të mos kthejë një përgjigje pozitive. Lacio sezonin e ardhshëm luan në Champions League dhe argjentinasi kurrsesi nuk mund ta humbasë këtë mundësi. Raportohet për nisjen e kontakteve të para mes Udinezes dhe Lacios. /vipsport/