Sfida mes Egnatias dhe Dinamos, e vlefshme për javën e 25-të të Kategorisë Superiore, ka shënuar një moment historik për arbitrin Enea Jorgji.
Kjo përballje ishte ndeshja e 300-të në karrierën e tij si arbitër në futbollin shqiptar. Përpara fillimit të takimit, u organizua një ceremoni e shkurtër ku Jorgjit iu dorëzua një fanellë simbolike me numrin 300.
Dhurata u dorëzua nga Presidenti i Shoqatës së Arbitrave, Tahir Kastrati, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij ndër vite.
Jorgji mbetet një nga arbitrat më me përvojë dhe me stemën e FIFA-s në Shqipëri. Ceremonia u prit me duartrokitje nga të pranishmit në stadiumin e Rrogozhinës.


