Skënderbeu e ka lënë pas tashmë ndeshjen e humbur me shifrat 2-0 ndaj Vllaznisë dhe e ka përqendruar gjithë vëmendjen te beteja e radhës ndaj Kastriotit, një kundërshtar i përballueshëm për korçarët, që natyrshëm në këtë ndeshje pretendojnë vetëm fitoren, me qëllimin për t’u shkëputur sa më shumë nga zona e ftohtë e renditjes.
Për “Panorama Sport” ka folur një ish i kësaj sfide, Agnaldo Moraesh. Mesfushori i korçarëve, i cili sezonin e shkuar ishte pjesë e Kastriotit tregoi për gjendjen e mirë, që ndodhet skuadra dhe përpiqet ta mbajë skuadrën me këmbë në tokë, duke e vlerësuar maksimalisht Kastriotin, që vjen nga një fitore ndaj Egnatias në ndeshjen e shkuar.
Moraesh, tashmë duket se jeni titullar i padiskutuar i Skënderbeut. Si ndiheni?
Të them të drejtën kam filluar të jem në një formë më të përshtatshme për të luajtur një ndeshje në kapacitetin e plotë timin dhe mund të them se jam mirë. Besimi në këtë ekip nuk më ka munguar, ndaj edhe për këtë jam i obliguar dyfish për të dhënë më të mirën time.
Tashmë jeni në vendin e tetë dhe keni lënë dy ekipe pas. Më të qetë?
Nuk mund ta them një gjë të tillë për sa kohë kampionati nuk ka arritur në gjysmën e vet dhe janë ende shumë javë në lojë. Normalisht që kur rritesh në renditje, ndihesh më i sigurt dhe më komod, por nuk duhet të ulim motivimin dhe karikimin për të bërë mirë deri në fund.
Humbja në Shkodër ishte frenim për ju duke parë formën e mirë që po kalonit?
Një ndeshje e tillë nuk mund të bëhet asnjëherë dramë. Luanim në transfertë ndaj një ekipi, që ka tjetër përbërje dhe tjetër objektiv nga ne. Të humbësh në Shkodër nuk është fundi i botës, por duhet të kishim bërë më mirë dhe mund të kishim bërë më shumë. Këtë e them me bindje. Gjithsesi, është një humbje, që e kemi lënë pas dhe po mendojmë për ndeshjen e radhës.
Luani kundër Kastriotit. Nostalgji?
Të them të drejtën jam ndier mirë te Kastrioti dhe kam respekt për atë klub. Por tani jam pjesë e Skënderbeut dhe duhet të bëj gjithçka për këtë fanellë.
Me Kastriotin keni fituar dy herë në Korçë…
Po, i mbaj mend shumë mirë. Ka qenë një tjetër Skënderbe në ato ndeshje, jo ky i këtij sezoni. Ishte më i brishtë. Tani jam i bindur që do të ketë muzikë tjetër në këtë takim.
Po thoni që Skënderbeu fiton me siguri?
Jo, siguri në futboll nuk ka. Por është një ndeshje, ku ne do të japim më të mirën për ta fituar. Të tilla ndeshje vlejnë më shumë se tri pikë, prandaj jemi duke u përgatitur në maksimum. Vijmë nga momente të mira dhe nuk do ta diskutojmë fitoren në këtë takim.
Dy javët e fundit për këtë vit, ku e shihni Skënderbeun në renditje?
Për të thënë këtë duhet të fitojmë fillimisht ndeshjen e radhës dhe më pas të mendojmë për Dinamon. Kemi kohë për të. Mendoj se duhet t’i marrim takimet një nga një. Jemi mirë dhe presim një fitore në fundjavë.