Opinion NGA PANO XHIXHO*Komisioni i Disiplinës duket se ka gjetur “viktimën” për këtë sezon. Papritur e pakujtuar, Agim Canaj po shndërrohet në një njeri problematik, aq më shumë në këtë moshë. Fare pak ndeshje në stolin e Vllaznisë (për këtë sezon) dhe plot 4 ndeshje në tribunë, si dhe “ca” milionë lekë gjobë. Madje rrezikon sërish, sepse ka folur pas vendimit nëpër gazeta.
Çfarë po ndodh xhanëm?! Ç’është kjo “dorë e hekurt” ndaj një trajneri, apo ndaj një ekipi të caktuar brenda pak javësh, dy herë?! Trajneri Canaj përmend presidentin Fushaj (meqë ka qenë trajner në atë periudhë dhe këto ngjarje nuk i ka përjetuar ndonjëherë), por unë po shkoj pak më larg: A kishte shanse që trajneri i Vllaznisë nën drejtimin e të ndjerit president Myftar Çela të dënohej dy herë brenda një muaji?! Kurrë…, madje do t’i kërkonin falje disa herë për vendimet arbitrare, nëse kishte ndonjë shans të ishin kundër (sepse atij i kërkonin falje edhe kur e mbanin “drejt”). E pra, kjo është pabesi. Nga njëra anë, Federata promovon formalizimin e klubeve, rikthimin e tyre në institucione të mirëfillta dhe nga ana tjetër, stimulon logjikën e “të fortit” (nëse nuk ke një president të fortë që ngre zërin, quhesh klub “pa Zot”). Aktualisht, Vllaznia është jashtë zonës së rrezikshme, por vetëm me 2 pikë, ndërkohë që vendimet e arbitrave në fushë apo zyrtarëve në tavolina, duket se po “i zhysin” shkodranët më poshtë. Nuk mund të jemi kaq patetikë për të menduar se Vllaznia është në gjendjen aktuale për faj të FSHF-së, por ky mua më duket një “film i parë”.
Në sezonin kur Partizani ra për herë të parë nga Kategoria Superiore ishte një klub “pa Zot”, pa mbështetje dhe vetëm trajneri i atëhershëm, Shpëtim Duro, arriti t’i mbante futbollistët pa paga dhe me shumë halle deri në fundin e sezonit. Por, goditjen përfundimtare (nëse ju kujtohet) ia dhanë përfaqësuesit e FSHFsë, asokohe “të veshur” si vijërojtës. Kam frikë se ky “skenar” po aplikohet edhe te Vllaznia (dashtë Zoti, gabohem). Shkodranët janë krijuar vërtet në ditët e fundit të merkatos këtë sezon, por kanë arritur të jenë një nga ekipet që prodhojnë futboll, luajnë bukur, madje edhe me shumë lojtarë “made in Vllaznia” në organikë. Patjetër, do të jetë një fatkeqësi e madhe që të shikojmë një kategori më poshtë, sezonin e ardhshëm, Tiranën e 24 titujve kampionë, por ju garantoj që “gjëmë” po kaq e madhe do të jetë edhe sikur “kjo” të jetë Vllaznia. Në fund të edicionit, shkodranët mund ta meritojnë zbritjen, sepse këtu flasim për një sport që, nëse nuk ke rezultate, rrezikon pavarësisht emrit që mban, por kur në një fushë të hiqet një gol i rregullt, në një tjetër, përveç vendimit të gabuar arbitrar, “i pret biletën” për në tribunë trajnerit, atëherë dyshoj shumë që të jetë thjesht një rezultat “i dobët” sportiv. As nuk jam nga Shkodra dhe as jam tifoz i Vllaznisë, por flitet jo vetëm për një klub që luan historikisht bukur, apo që ka prodhuar më shumë talente kohët e fundit, por edhe për një ekip që i lejon kundërshtarët të luajnë futboll “rehat” në “Loro Boriçi”. Prandaj, mos e prekni padrejtësisht Vllazninë! Vërtet nuk ka (ende) një president që të bëjë “të fortin”, por ka mbrapa një histori dhe një Shkodër të tërë…
*Opinioni eshte botuar ne gazeten “Panorama Sport”