Short aspak i favorshëm për ekipin e basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Që në javën e parë të kampionatit, ai do të përballet me rivalin e tij kryesor në luftën për titullin kampion- Tiranën dhe çfarë është më e keqja, takimi do të luhet në kryeqytet. Megjithatë ky është verdikti i shortit të hedhur këto ditë në ambjentet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në grupin A do të marrin pjesë 6 ekipe dhe përveç dy të mësipërme, janë edhe Kamza Basket, Teuta, Flamurtari dhe Ardhmëria. Sfida e parë e kampionatit, ajo Tirana- Vllaznia do të luhet më 13 tetor dhe basketbollistët shkodranë do të përballen me një Tiranë krejtësisht të tjetërsuar këtë sezon.

Përveçse merr pjesë në Ligën Ballkanike, ky ekip ka edhe një trajner të huaj tashmë në pankinë, ka dhe basketbollistë të huaj në rradhët e tij. Madje, si për ironi të fatit, ditën e djeshme me bardheblutë ka firmosur edhe ish-basketbollisti i Vllaznisë, malazezi Nemanja Gavraniç. Kuqeblutë nga ana e tyre nuk kanë bërë asnjë lëvizje. Përbërja e saj është vetëm me lojtarë shkodranë dhe sponsori Dibra duket se nuk ka ndër mend të vazhdojë të hedhë lekë për këtë ekip. Kjo gjë do ta vështirësojë shumë ecurinë e tij dhe me siguri që shanset për të fituar titullin e katërt rradhazi, tashmë janë shumë të pakta. Në javën e dytë ndërkohë Vllaznia do të presë në Shkodër Flamurtarin, më pas Ardhmërinë ndërsa në javën e katërt do të jetë udhëtuese në Kamëz dhe do ta mbyllë fazën e parë duke pritur Teutën në Shkodër. Sakaq, ekipi i femrave në javën e parë të kampionatit do të presë në “Qazim Dervishi” ekipin e Tiranës ndërkohë që objektivi i deklaruar i vajzave shkodrane siç dihet, është futja në mes katër ekipeve më të mira të kampionatit duke luajtur në plej-of.

© shkodrasport.com