Tre ekipe të Veriut do të jenë pjesmarrëse në kategorinë e dytë të futbollit shqiptar. Përveç ekipit të Veleçikut të Koplikut dhe Adës së Velipojës, ekipe tashmë të njohura për këto kategori, risia e këtij kampionati për sezonin e ri, padyshim që është ekipi Vllaznia B. Ekipi i dytë i klubit shkodran i krijuar një vit më parë, u pranuar nga Federata të merrte pjesë në këtë kampionat dhe sigurisht që me përbërjen aktuale të tij, por dhe futbollistët që mund të marrë nga ekipi i parë, pritet të jetë pretendent. Mbetet për t’u parë mënyra si do të ndërtohet dhe si do të paraqitet ekipi i Veleçikut.

Trajneri Besnik Duli shquhet si trajner që di të marrë maksimumin nga futbollistët që stërvit megjithatë krijimi edhe i ekipit të dytë të Vllaznisë natyrisht që i ka prishur punë për marrjen e elementit nga Shkodra. Nga ana tjetër, Ada e Velipojës që pritej të shkrihej fare, ka konfirmuar pjesmarrjen në kampionat. Presidenti Alfred Pjetri edhe njëherë tjetër arriti ta mbajë këtë ekip dhe natyrisht që prania e tij është një plus më tepër për futbollin shkodran. Gjithsesi, sytë duhet të jenë të përqendruar tek Vllaznia B. Trajneri Ervis Kraja ka kohë që ka nisur stërvitjen me një grup futbollistësh, kryesisht të ardhur nga ekipi U-19 i Akademisë. Atij i janë bashkuar edhe dy futbollistë cilësorë siç janë Stivi Vecaj dhe Paulo Markolaj që natyrisht do të rrisin cilësinë e tij. Fakti që pesë futbollistë nga ekipi i parë lejohen të luajnë me B-në, është një plus më shumë dhe kjo mund ta bëjë atë ekip pretendent. Marrja pjesë e tre ekipeve të zonës së Shkodrës në kategorinë e dytë në mes 13 ekipeve pjesmarrëse, është një plus më tepër. Në bazë të shortit të hedhur ditën e djeshme, në ndeshjet e javës së parë që luajnë këtë fundjavë, Vllaznia B e ka pushim ndërsa Veleçiku do të luajë në Tiranë ndaj Internacional e po ashtu edhe Ada do të luajë në kryeqytet ndaj Tiranës B.

© shkodrasport.com