Opinion nga Musa KURTULAJ

Ashtu si ne Finlande, edhe ne stadiumin “Loro Boriçi” te Shkodrës, FIFA ka vendosur qe tifozët e Kosovës ne ndeshjen me Kroacinë te mos lejohen te mbajnë Flamurin Kombëtar Shqiptar ! E kemi ta pamundur ta arsyetojmë ketë vendim ! Pse i trembet FIFA Flamurit Kombëtar Shqiptar ne ndeshjet e Kosovës ? Sot qyteti i Shkodrës zien nga entuziazmi i tifozerise kosovare, por nuk mungojnë as tifozët e Kroacisë te cilet askend nuk po shqetesojne me Flamurin Kroat qe mbajne ne dore!

FIFA ka dërguar ne Shkodër delegatet për takimin mes këtyre dy ekipeve. A u ben përshtypje këtyre te fundit fakti qe tifozët e Kosovës po festojnë bashke me tifozët e Kroacisë, po këndojnë bashke dhe po gëzojnë bashke ! A u Ben përshtypje delegatëve te FIFA-s ne Shkodër qe jo vetëm asnjë përfaqësues zyrtar i Kroacisë dhe asnjë tifoz kroat nuk po ndjenë as edhe një miligram shqetësim nga Flamuri Kombëtar Shqiptar, qe vulvitet neper sheshet e Shkodrës, por janë pikërisht tifozët e Kroacisë qe vene ne koke PLISAT simbol te shqiptarizmes dhe i bashkohen te tifozerise kosovare ! Këto janë dëshmi te filmuara sot nga televizionet ne Shkodër, qofshin ato Shqiptare, te Kosovës e te Kroacisë, dhe te transmetuara nga ana e tyre ! A u bën përshtypje delegateve te FIFA-s ne Shkodër, qe ekipi i Kroacisë, stafi teknik dhe zyrtaret e tjerë te sportit kroat, shëtisin krejt lirshëm ne sheshin e qytetit dhe përshëndeten nga qytetaret e Shkodrës me përzemërsi ! Si mundet atëherë, kur kemi një atmosfere te tille miqësore, tu ndalosh shqiptareve te krahinës se Kosovës qe te mos e mbajnë ne stadium Flamurin Kombëtar Shqiptar, atë flamur për te cilin, si çdo komb mbi ketë bote, edhe shqiptaret e kane te shenjte sa vete jetën e tyre ! Kur nuk shqetësohet as Shqipëria zyrtare se “po ia marrin kosovaret Flamurin” dhe nuk shqetësohet as Kroacia qe ka dërguar ne Shkodër përfaqësuesen e saj për te luajtur me atë te Kosovës, pse atëherë frikësohet FIFA nga prania e Flamuri Kuq e Zi, Flamurit te Kombit Shqiptar ne stadium ?!!!!!!
Shkoder, dt.6 tetor 2016