Agim Canajt dhe Armir Grimës u mbyllet goja nga FSHF-ja. Vendimi më i fundit i federatës është më shumë se absurd, pasi ka ndaluar trajnerin dhe drejtorin sportiv të Vllaznisë që të mos flasin me mediat. Sikur të mos mjaftonte dënimi me dy ndeshje pezullim dhe gjoba prej 100 lekësh të rinj, drejtuesit e FSHFsë i kanë komunikuar edhe një tjetër lajm teknikut, që për këtë periudhë dyjavore që është i dënuar, të mos prononcohet. Kujtojmë që Canaj ka folur para takimit me Tiranën, duke komentuar mbi dënimin e padrejtë në drejtim të tij.

Kjo është diçka tejet absurde, pasi një trajner që stërvit përditë një skuadër, pavarësisht se nuk mund ta shoqërojë atë në një apo dy takime zyrtare, nuk ka sesi të mos flasë për situatën. Ka qenë vetë trajneri i shkodranëve, që e ka konfirmuar këtë fakt. I kontaktuar në telefon, Canaj është përgjigjur se: “Më vjen keq, por nuk mund të prononcohem dhe të dal në media derisa të mbaroj dënimin. Nuk e di çfarë t’ju them, por më është thënë se nuk duhet të dal, derisa jam i pezulluar nga FSHF-ja, që të flas për mediat. Një gjë e tillë i është bërë e ditur edhe Grimës. Nuk mund t’ju them asgjë më tepër”.
Precedenti – Canaj e ka ndjekur takimin me Tiranën nga shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Për teknikun, kjo ka qenë hera e dytë që është dënuar, për të mos qenë në pankinë për të drejtuar Vllazninë. Dënimi i tij i parë ndodhi pas barazimit që kuqeblutë morën në Shkodër me Bylisin. Edhe atëherë organet drejtuese në FSHF e pezulluan me dy ndeshje, edhe pse në takimin pasardhës ai u fal. Por, gjithçka u përsërit me Partizanin në kupë, duke u ndëshkua me të kuqe pasi kërkoi llogari te gjyqtari i takimit. Klubi – Është akoma edhe më absurde që klubi i Vllaznisë i bindet federatës edhe për raste të tilla, kur ata kanë kurrfarë të drejte që të ndërhyjnë. Drejtuesit shkodranë jo vetëm që nuk po reagojnë, por e kanë pranuar këtë vendim të federatës, duke pranuar edhe që të mos flasin për mediat.

Admir URUÇI