Vllaznia është skuadra që këtë sezon në të gjitha ndeshjet e luajtura, ka koleksionuar fitore duke mundur jashtë e brenda fushe rivalët e Kamza Basket. Emocione ka përjetuar edhe trajneri i Vllaznisë, Bledar Gjeçaj, i cili rrëfen këtë fitore të suksesshme.
Gjeçaj si ishte ndeshja për ju?
Ne zhvilluam në fakt një ndër ndeshjet tona më të mira. Loja nisi shumë mirë për ne, ndërsa arritëm që të kishim epërsi. Nuk kemi gabuar shumë dhe arritëm të marrim një fitore mjaft të bukur. Natyrisht që jam i kënaqur, ndërsa edhe të gjithë si skuadër po i gëzohemi këtij suksesi. Them se kemi bindur me lojën tonë dhe e kemi merituar atë fitore. Realisht ishte diçka shumë e bukur.
Keni kontestuar disa herë arbitrat, pati ndikim gjykimi?
Ne nuk kërkojmë më shumë se një arbitrim të drejtë, ndonëse si gjithmonë, edhe kësaj here ishin kundër nesh. Na ngarkuan me gabime personale të shumta dhe me disa vendime të çuditshme në dëm të Vllaznisë. Megjithatë, me një mbrojtje shumë të fortë, arritëm ta përballonim edhe këtë pjesë dhe që ta fitonim ndeshjen. Shpresoj që në të ardhmen arbitrimi të jetë i saktë.
A ishte perfekte Vllaznia?
T’ju them të drejtën jo plotësisht. Ne patëm edhe momente jo të mira, siç ishte perioda e tretë, kur skuadra çaloi pak dhe sikur e humbi besimin. Pavarësisht kësaj, mbrojtja ishte ajo që na riktheu sërish besimin dhe në fundin e kësaj periode dhe në fillimin e së katërtës rikuperuam gjithçka me shpejtësi, duke dalë sërish në lojën tonë. 10-minutëshi i fundit ishte krejtësisht spektakël.
A e ka siguruar Vllaznia titullin kampion?
Është ende herët për të folur. Mua më gëzon shumë një sukses i tillë, pasi mposhtëm një tabu. Kemi pasur një tabu deri tani. Këtë sezon kemi shkuar në Tiranë, kemi fituar; kemi shkuar në Kamzë, kemi fituar. Ka vite që Vllaznia nuk i fiton këto ndeshje, aq më tepër jashtë fushe. Edhe fitorja me Kamzën në Shkodër tregon një supermaci tonën në kampionat. Shpresoj që të vazhdojmë në këtë rrugë dhe në fund të kërkojmë titullin kampion.
Në Shkodër luhen finalet e kupës, a është Vllaznia pretendente?
Në ndeshjet e kupës nuk duhet të ekzaltohemi, përkundrazi, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Synimi ynë, tani për tani, patjetër që është trofeu i kupës. Besoj se do e mbushim sërish pallatin e sportit në finalet e kupës. Unë besoj që do të dalim në finale dhe them se, më një tifozllëk të atillë si në ndeshjen me Kamzën, do arrijmë suksesin e parë këtë sezon.
Tifozët?
Janë të mrekullueshëm. Na kanë mbështetur pa reshtur asnjë sekondë gjatë gjithë ndeshjes. Ishin një armë shumë e fortë e jona, që na çuan drejt suksesit në fitoren me Kamzën. Shumë vite nuk kishte ndodhur diçka e tillë. Përzemërsisht i falënderoj të gjithë.
SENAD NIKSHIQI