Teuta-Vllaznia ishte kryendeshja e javës së katërt dhe FSHF-ja kishte dërguar në Durrës gjashtë gjyqtarë. Kryesor ishte ndërkombëtari Eldorian Hamiti, i cili nxori nga xhepi plot 8 herë kartonin e verdhë dhe dy herë të kuqin, pikërisht ndaj mbrojtësit të Vllaznisë, Aleksandër Isaevski dhe trajnerit të portierëve, Ideal Lekiqi. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet për moviolë.
6′ Kapiteni i Teutës, Arapi, i ndërhyn ashpër brazilianit të Vllaznisë, Da Silva, afër vijës së zonës. Gjyqtari Hamiti lejon avantazhin dhe vepron drejt, pasi krijohet një rast i pastër për gol. Ndërkohë, pas përfundimit të aksionit, arbitri duhet të ndëshkonte me karton të verdhë Arapin, por nuk e bëri këtë.
42′ Avdyli kroson në zonë, topi devijohet me kokë nga Daja dhe Hebaj me një roveshatë shënon supergol. Anësori Rexha e anulon golin e Teutës për pozicion jashtë loje. Pamjet i japin të drejtë anësorit, pasi në momentin e devijimit të topit nga Daja, Hebaj ishte në pozicion të parregullt.
69′ Isaevski ndërhyn me takë në këmbën e Todorovskit, edhe pse prek topin. Hamiti e ndëshkon me të verdhë, teksa është i dyti karton për maqedonasin dhe automatikisht i kuq. Një rast i diskutueshëm.
90′ Emiljano Vila rrëzohet në zonë dhe kërkon penallti, por më parë ishte Marku që preku topin. Hamiti ishte shumë afër aksionit dhe vazhdon lojën, duke marrë një vendim të drejtë.