FSHF ia kishte besuar duelin e kryesuesve gjyqtarit nga Fieri, Kreshnik Cjapi. Durrsakët pretenduan jo pak te goli i Vllaznisë, duke qenë se Aleksi u përplas me arbitrin Cjapi në përpjekje për të penguar aksionin që solli avantazhin.

Megjithatë, në bazë të rregullores për këtë rast, në minutën e 59-të, gjyqtari rezulton se ka vepruar drejt që nuk ka ndalur lojën. Faull konsiderohet kur gjatë një aksioni arbitri e ndalon topin me trupin e tij ose e devijon atë dhe më pas në vijim shënohet gol.

Në rastin e pretenduar nga durrsakët, arbitri nuk ka lidhje fare me topin. Në aksionin e golit të Vllaznisë pati dyshime në momentin kur topi shkoi tek Imeri, i cili dha asistin për golin. Aleksi u pengua me gjyqtarin në përpjekje për të shkuar tek Imeri.

Cjapi e ndëshkoi me të verdhë për protesta lojtarin e Teutës. Kjo dyshe, që si për koincidencë janë nga Fieri, si arbitri dhe lojtari, u përplasën edhe në minutën e 11-të.

Në këtë moment Cjapi ndali lojën pasi topi ishte afër Aleksit dhe rasti u shoqërua me ilaritet nga të pranishmit.

Sa i përket minutës së 68-të, kur Hoxhaj u ndëshkua direkt me të kuq, kemi vendim të drejtë të Cjapit. Ndërhyrja me takat ngritur ndaj Pjeshkës në anësore ishte nga ato që ndëshkohen maksimalisht.

VLLAZNIA – TEUTA 1-0

Gjyqtarë: K.Cjapi, I.Tartari (Fier), N.Rrapaj (Patos)