Tek Vllaznia janë të fokusuar maksimalisht tek ndeshja e rradhës për kampionat, ajo që do të luajnë ditën e dielë ndaj Elbasanit në stadiumin “Loro Boriçi” në orën 19:30. Por stafi teknik dhe futbollistët janë përballur me një problem shumë serioz: Mungesën e kushteve të përshtatshme për stërvitje.
Reshjet e shiut që kanë rënë gjatë këtyre ditëve e kanë bërë të pamundur stërvitjen në fushën sportive të Golemit ku stërviten zakonisht. Po ashtu edhe fusha e Velipojës që përdorën para dy javësh ka qenë edhe ajo në kushte jo të mira. Në Shkodër kuptohet që nuk ka asnjë fushë tjetër me bar natyral në gjendje të përshtatshme dhe kjo i vështirëson gjërat.
Një mundësi ka qenë stërvitja në fushë me bar sintetik, por stafi teknik e konsideron aspak normale sepse ajo sjell dëmtime të lojtarëve. Të gjendur në këto rrethana, ata kanë biseduar me drejtuesit e klubit dhe janë detyruar të bëjnë sërish një zgjedhje tjetër: Të “emigrojnë” në Ulqin. Ndodh kështu sepse Shkodra vazhdon të mos afrojë kushte të përshtatshme për stërvitje.
Autobuzi i ekipit të Vllaznisë ka lënë paraditen e sotme Shkodrën dhe i është drejtuar pikës doganore të Muriqanit dhe më pas qytetit bregdetar të Malit të Zi, për t’u sistemuar në një nga hotelet atje dhe për t’u stërvitur në fushat e Ulqinit të cilat janë në gjendje mëse normale.
Kuqeblutë kanë zhvilluar pasditen e sotme seancën stërvitore të rradhës dhe ndërkohë do të qëndrojnë atje deri të shtunën, kur do të rikthehen sërish në Shkodër për t’u grumbulluar në pragndeshjen me elbasanasit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


