Vllaznia do jetë në transfertë në javën e 11-të të Superligës përballë Teutes. Durrsakët vijnë pas një periudhe jo shumë pozitive, ku edhe kanë ndërruar trajnerin së fundmi. Nga pankina është larguar shkodrani, Edi Martini e në krye të “djemëve të detit” është vendosur ish-kapiteni, Renato Arapi.

Një eksperiencë shumë e re kjo për ish-mbrojtësin që vetëm në fund të sezonit të kaluar i dha fund karrierës si futbollist. Megjithatë ai u ingranua menjëherë në rolin e drejtorit tek Teuta. E duket se durrsakët kanë menduar që problemet ti zgjidhin brenda shtëpisë.

Arapi është një nga futbollistët më të mirë që ka nxjerrë kampionati në dekadën e fundit. Eksperienca e tij në drejtimin e një skuadre mungon, por jo mentaliteti i tij fitues. Kjo pasi durrsaku është një nga ata që e dinë mirë se si fitohet dhe triumfohet. Këtë e ka vërtetuar shumë herë gjatë karrierës së tij.

35-vjeçari është një nga futbollistët më të titulluar të vendit tonë në mbarë historinë. Ai numëron 7 tituj kampion, 6 me Skënderbeun dhe 1 me Teuten sezonin e shkuar. Po ashtu 2 kupa të vendit të fituara me skuadrën e Besës së Kavajës. E gjithashtu numëron edhe 3 Superkupa , 1 me Teuten dhe 2 me Skënderbeun.

Pra në total një grumbull prej 12 trofesh të fituar në një karrierë që ka zgjatur për 17 vite. Me të vërtetë eksperienca e Arapit mungon si trajner, por mentaliteti fitues dallohet qartë tek durrsaku që në debutimin e tij si trajner do kërkojë më të mirën kundër Vllaznisë ditën e premte.

Endri ÇINARI