Bojkotimi i stërvitjes nga ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë sigurisht që nuk është një lajm i mirë për askënd. Kuptohet as për drejtorin e klubit Mark Kroqi, për të cilin në fakt një veprim i tillë është i pakuptimtë sepse ai i ka sqaruar si trajnerin ashtu edhe kapitenin e ekipit.

Në një prononcim të dhënë për mediat, drejtori do të sqaronte të gjithë çështjen duke thënë: “Unë u habita me vendimin e ekipit të basketbollit për të mos u stërvitur. Në fakt kam patur një takim me trajnerin dhe kapitenin e këtij ekipi pikërisht për këtë çështje.

Unë u njoha me shqetësimin e tyre dhe përgjithësisht gjetëm një zgjidhje. Prandaj u habita kur mora vesh se ekipi nuk doli në stërvitje. Po jua sqaroj çfarë ka ndodhur me fondin e tij.

Në fund të çdo sezoni, klubi në bashkëpunim me Vllazninë bëjnë një analizë të çdo ekipi dhe dolëm në konkluzionin që pas paraqitjes së dobët të bërë, ekipit të basketbollit të meshkujve t’i zbritet fondi.

Por, me ardhjen e trajnerit të ri dhe me organizimin që u bë, vendosëm të mos ia zbresim fondin. Trajneri i parë u largua, po ashtu edhe i dyti dhe jo vetëm kaq. U larguan edhe tre prej titullarëve të ekipit dhe prej kësaj, më pas u vendos që fondi në dispozicion për trajtimin ushqimor të zbritej nga 2.5 milionë lekë të vjetra në 1.75 milionë (hoqëm shumat e tre sportistëve të larguar).

Pas kërkesës së trajnerit Taraboshi, ramë dakord që t’i shtonim edhe 500 mijë lekë të tjera. Nga kjo lëvizje financiare, nuk prekeshin titullarët e ekipit por disa prej lojtarëve të rinj që janë ofruar së fundi.

Nuk mendoj se ka ndonjë problem në këtë mes. Unë sot do të kem një takim me inspektorin e klubit dhe me trajnerin për ta diskutuar edhe njëherë këtë çështje dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë. Klubi ka qenë gjithnjë në krah të sportistëve dhe nuk ka pse të krijohet një problem i tillë”.
© shkodrasport.com