Stërvitja e djeshme e ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë nuk është zhvilluar.

Pjestarët e këtij ekipi kanë qenë të pranishëm në ambjentet e pallatit të sportit, kanë takuar trajnerin Taraboshi dhe i kanë bërë të qartë vendimin e tyre për të bojkotuar stërvitjen.

Arsyeja është zbritja e fondit nga ana e klubit për këtë ekip. Një vendim i tillë është marrë nga ky i fundit pas largimit të tre titullarëve sëfundmi dhe në këto rrethana, është parë e arsyeshme që fondi në dispozicion për trajtime ushqimore të këtij ekipi të mos jetë 2.5 milionë lekë të vjetra në muaj, por 1.75 milionë lekë.

Nga kjo zbritje nuk janë “djegur” titullarët e mbetur në ekip por lojtarët e rinj të ofruar aty. Ai që ka shpjeguar situatën ka qenë trajneri Fatjon Taraboshi që për gazetarët është shprehur:

“Sot ka qenë e planifikuar për t’u zhvilluar seanca e parë stërvitore e javës por sportistët nuk pranuan ta zhvillojnë atë.

Arsyeja është se ata janë të pakënaqur me zbritjen e fondit që klubi u ka bërë. Kjo sepse i bie që të gjithë djemtë e rinj që janë në ekip të mos marrin asnjë lekë dhe në këto rrethana, ato në ndeshjet jashtë Shkodre duhet të marrin lekë nga shtëpitë e tyre për të udhëtuar dhe për të përfaqësuar Vllazninë.

Ne presim një zgjidhje të këtij problemi sepse të premten kemi ndeshje. Nuk e di si do të vazhdojë kjo situatë, por nëse nuk merr zgjidhje, besoj se ka për të qenë një problem i madh për basketbollin në Shkodër”.
© shkodrasport.com