Ditën e sotme, është luajtur java e 15-të e Kategorisë së Parë të moshave U19. Kështu, Murlani fitoi 1-2 pikërisht ndaj Besëlidhjes në transfertë.

Murlani, përballë këtij kundërshtari, që ndodhet në mesin e tabelës së këtij kampionati, ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë dhe në fund kanë fituar me rezultatin 1-2.

Takimi u luajt në stadiumin “Besëlidhja” dhe në fakt ka nisur më mirë për miqtë, të cilët kanë kaluar në avantazh, që në minutën e 18-të, me anë të Markajt.

Pak minuta më vonë, Besëlidhja do të humbiste një penallti me anë të Pjetraj dhe kështu, pjesa e parë është mbyllur me fitoren e Murlanit, 0-1.

Në të dytën, ekipi lezhjan e ka rritur lojën e saj dhe pas disa përpjekjeve, ka arritur të shënojë golin e barazimit. Ka qenë Nikolli, i cili ka dërguar topin në rrjetë, teksa barazon shifrat në 1-1.

Megjithatë, menjëherë pas dy minutash, ka vijuar presioni i miqve për golin e fitores dhe ai ka ardhur në minutën e 57-të, kur Kodra, ka arritur ta dërgojë topin për herë të dytë në rrjetën e portës vendase, duke i dhënë kështu fitoren Murlanit U19.

Në këtë mënyrë, me këtë trepikësh, ato janë ngjitur në kuotën e 30 pikëve dhe mban vendin e tretë, teksa duket se paraqitjet e mira, po e ndihmojnë këtë ekip të ngjitet lart në renditje, nga ndeshje në ndeshje.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Murlani U17 ka humbur ndaj Besëlidhjes, me rezultatin 5-0, me lezhjanët që u kanë shënuar një lumë golash, duke i mundur thellë ata. Duhet thënë se në këtë ndeshje, të dy ekipet kanë mbetur me 10 lojtarë, pas daljes me të kuqe të Dacit të Besëlidhjes dhe Et’hemit të Murlanit në minutën e 60-të. Murlani U17 renditet në vendin e parafundit, në kuotën e vetëm 6 pikëve.
Maringlen ZHIVANI