Kampionati 5×5 është zhvilluar shumë interesant në Shkodër. Protagonist ka qenë skuadra e Air Albania, që fitoi në qytetin tonë dhe tani do luajë së shpejti edhe ndeshjet me eleminim direkt me ekipe nga e gjithë Shqipëria.

Një nga lojtarët më të mirë të kësaj skuadre, Admir Mehja ka folur së fundmi për këtë sukses dhe objektivin për të qenë kampion absolut në mbarë vendin.

Mehja tha: “Jemi të lumtur që fituam kampionatin 5×5 në Shkodër. Por ne e dinim që kishim diferenca me ekipet e tjera në qytetin tonë dhe duke lënë mënjëanë modestinë do thoja se e meritonim 100%. Tashmë do fillojë gara reale ku do kemi përballjet me ekipet më të mira shqiptare. Do jenë ndeshje shumë të forta dhe të bukura për tu parë.

Objektivi është që të jemi kampionë të gjithë vendit në kampionatin 5×5. Shumë pak e kanë informacionin që skuadra fituese do përfaqësojë Shqipërinë në Champions League. Dhe ky fakt na shton akoma më shumë motivimin.

Kombëtarja shqiptare e minifutbollit? Jam krenar që isha pjesë e saj në këto dy ndeshje miqësore kundër Malit të Zi, ku një takim u fitua dhe një u humb. Është gjithmonë një ndjenjë e veçantë të përfaqësosh kombëtaren në çdo disiplinë sportive apo edhe çdo fushë tjetër të jetës”.
Endri ÇINARI