Vllaznia e basketbollit të meshkujve, pretendente për titull kampion, ka zhgënjyer në ndeshjen e fundit, pikërisht atë ndaj Dinamos modeste, e cila u zhvillua këtë javë në “Asllan Rusi”. Trajneri i shkodranëve, Fabian Gjuka u shfaq tejet i zhgënjyer nga skuadra.

Sipas tij, ndeshja që po luhej mbrëmjen e së dielës në kryeqytet, ishte nën diktatin tërësisht të Vllaznisë, e cila që nga minuta e parë dhe deri në mbyllje të së tretës ka udhëhequr në rezultat. Megjithatë, ajo që e ka mërzitur dhe çuditur Gjukën, që ka marrë drejtimin e stolit të Vllaznisë është perioda e katërt, gjatë së cilës ka parë skuadrën e tij të shpërfytyrohet duke e humbur të gjithë takimin.

Trajneri i Vllaznisë, Fabian Gjuka, në intervistën e dhënë për “RTSH Shkodra”, shfaqi shqetësimin e tij për këtë situatë, teksa shpreson të zgjidhet dhe të përmirësohet sa më shpejt.

“Në fillim, unë dua t’i kërkoj falje tifozërisë shkodrane, kryesisë së skuadrës, në emrin tim dhe të skuadrës. Kjo humbje nuk ka arsyetim, dhe do të merren masa për këtë humbje, për këtë jam i bindur.

Për mendimin tim, e neglizhuam gjatë pjesës së dytë skuadrën e Dinamos. Çfarë ndodhi në fushën e lojës, unë si trajner i ekipit, nuk kam shpjegim për atë situatë.

Kjo humbje ndikon shumë, së pari psikologjikisht. Pastaj, edhe në renditjen e tabelës së klasifikimit. Mund të them, edhe pse kampionati është i gjatë, është edhe një pjesë e tij, mendoj se nëse nuk i shtrëngojmë forcat tona, atëherë i gjithë kampionati do të shkojë huq. Mirëpo, kjo humbje duhet të shikohet thellë. Pse arritëm tek kjo humbje pas atyre lojërave të mira që zhvilluam, se çfarë ndodhi është për një analizë të thellë, një analizë vetëm brenda klubit.

Do të vendosim disa gjëra, që mund të them rigoroze. Do të merren masa rigoroze patjetër, sepse nuk është e lejueshme, sepse kjo nuk ka se si të shpjegohet ndryshe.

Sigurisht, sigurisht, skuadra ka potencial, dikush e ka neglizhuar këtë ndeshje ndaj Dinamos dhe arritëm deri këtu ku jemi”,-mbylli prononcimin e tij për “RTSH Shkodra”, trajneri i Vllaznisë, në basketboll për meshkuj, Fabian Gjuka.
Maringlen ZHIVANI