Përplasja me Lille do të jetë “paradhoma” e sfidës së vështirë dhe tejet vendimtare në “San Paolo”, kundër Napolit, për situatën në grupin përkatës të Champions-it. Një humbje e parizenëve do të rrezikonte seriozisht eliminimin e hershëm në Ligën e Kampionëve, sepse do t’i bënte dy sfidat e mbetura me Crvena Zvezda dhe Liverpool të detyrueshme për t’i fituar me çdo kusht.

Në Napoli do të jetë radha e kthimit mes shtyllave të portës e Gianluigi Buffon, i cili e kreu pezullimin e UEFA-s prej tri ndeshjesh, që erdhi pas përplasjes së ashpër me gjyqtarin e ndeshjes së sezonit të kaluar në Champions, Real Madrid-Juventus.

Në konferencën për shtyp, Thomas Tuchel ka njoftuar se portieri 40-vjeçar italian do të jetë titullar në dy ndeshjet e radhës për PSG: “Ai do të luajë edhe ndaj Lille, edhe kundër Napolit. Përvoja e bën Buffon një figurë të rëndësishme për të gjithë grupin. Prania e tij është e rëndësishme në ndeshje me shumë ngarkesë psikologjike, sepse kemi të bëjmë me një udhëheqës të vërtetë”.