Nga Portugalia në Spanjë, më saktësisht nga Porto në Sevilla. Me një mision të vetëm: të tërheqë vëmendjen e Andre Silva dhe të marrë si kujtim fanellën e tij. Një mision, që një fëmijë i pasionuar për futbollin dhe ish-sulmuesin e Milanit, e ka përfunduar shkëlqyeshëm.

Ai është Francisco Feliz, 12 vjeç, portugez. Të enjten e kaluar udhëtoi me babain e tij, Vladimiro, nga qyteti i lindjes, Porto, për në Sevilla, ku ndoqi nga afër sfidën e “Europa League”, që “andaluzasit” e luajtën kundër turqve të Akhisar Belediyespor. Rezultati ishte 6-0, shumë i qartë në “Sanchez-Pizjuan”. Por, objektivi i vërtetë i djaloshit portugez ishte t’i binte në sy André Silva-s dhe të kthehej në shtëpi me një trashëgimi: fanellën e tij.

André Silva nuk u pa në fushë për asnjë minutë, sepse u kursye nga trajneri Machin për kampionatin. I riu, “Fran”, nuk ka qenë në gjendje ta shohë atë duke luajtur, që nga koha kur Andre Silva mbante veshur fanellën e Portos, ku ka qenë gjithmonë idhulli i tij i padiskutueshëm.

Por kjo nuk ka rëndësi: ish-sulmuesi kuqezi kuptoi se kishte një tifoz më shumë, një përkrahës të veçantë. Me një flamur të shkruar posaçërisht për të: “André, kam ardhur nga Porto për të marrë fanellën tënde”.

“Fran” arriti në Sevilla. Ai u përpoq të takonte André Silva në stadium, por pa ndonjë rezultat. Por, pas ndeshjes, në sajë të disa miqve të përbashkët, më në fund arriti të vërehet nga sulmuesi: “Ai më pa dhe më dha fanellën e tij”, – tha tifozi i vogël për “Goal.com”, ndërsa priti daljen nga “Sanchez-Pizjuan” të lojtarëve të Sevilla, në përpjekje për të “vjedhur” prej tyre edhe disa autografe.

Prandaj, misioni quhet i përmbushur. Por, pse i gjithë ky pasion për Andre Silva? “Për shkak se ai është një lojtar që ka lidhje të shkëlqyeshme me Porton. Unë jam nga Porto dhe gjithmonë e kam pëlqyer, – tha Francisco. – Edhe fëmijët e tjerë dëshironin fanellën e André Silva, por ata ishin të lumtur që e panë tek unë”.

Ndërkohë, i ati, Vladimiro, u gëzua shumë: “Kjo është bukuria e futbollit, djali im ka fanellën e idhullit të vet tani”. Një mbrëmje e paharrueshme për të dy, edhe pse bënë 800 km. Natyrisht, jo në këmbë…