Ditët e fundit u fol shumë për një vetë-afrim të trajnerit turk të Bylisit Nexhat Shensoj tek skuadra e Vllaznisë, por më pas, të paktën dhe në mënyrë formale, gjithçka është hedhur poshtë nga menaxheri i tij, Erkand Sulejmani. Ky i fundit ka qenë pjesë e skuadrës shkodrane si futbollist pesë sezone më parë dhe pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, ka nisur rrugën e menaxhimit, duke u marrë kryesisht me futbollistë dhe me trajnerë. Sulejmani rezulton të jetë menaxheri i trajnerit të ekipit ballshiot, Nexhat Shensoj, i cili ka reaguar menjëherë pas qarkullimit të lajmit se tekniku me origjinë kosovare është vetë-afruar tek Vllaznia për të marrë drejtimin e saj, pas shkarkimit nga detyra të trajnerit Rudi Vata. “Nuk është aspak e vërtetë se Shensoj është vetë-afruar tek Vllaznia, madje është shumë i indinjuar për qarkullimin e një lajmi të tillë, i cili nuk është fare në dijeni. Ai ka dinjitetin dhe personalitetin e tij dhe në asnjë rrethanë apo mundësi nuk ka se si të shkojë aq poshtë sa të vetë-afrohet tek Vllaznia. Ai ka një kontratë me Bylisin dhe me presidentin e këtij ekipi Besnik Kapllanaj, të cilët do ta zbatojë deri në fund, duke patur në dorë dhe në mendje projekte afat-gjata të miratuara dhe firmosura nga të dyja palët. Kështu që në këto kushte Shensoj nuk ka se si të vetë-afrohet tek Vllaznia dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë”, ka deklaruar nga Turqia, ku jeton edhe tani, menaxheri i Nexhat Shensoj, Erkand Sulejmani. Ndonëse këtij të fundit i duket ulje që Shensoj të kërkojë të vetë-afrohet tek ekipi shkodran, që ndoshta kjo është vetëm sa për farsë, por ajo që është e vërteta se jo vetëm ky trajner me prejardhje shqiptare, e që vjen nga Turqia, por kushdo qoftë ai teknik brenda apo jashtë territorit shqiptar, duhet ta ketë për luks dhe krenari për të ardhur dhe për të drejtuar Vllazninë. Megjithatë duke i shkuar deri në fund kësaj çështjeje, në kontaktet e vazhdueshme që kemi patur ditët e fundit me drejtuesit më të lartë të klubit shkodran, por edhe me drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës për këtë çështje, mësohet se është e vërtetë që trajneri i Bylisit Nexhat Shensoj është vetë-afruar tek skuadra shkodrane, duke u dërguar sms, fillimisht drejtuesve në Shkodër, e më pas edhe duke i bërë një telefonatë. Ndonëse për momentin, nisur dhe nga përgjigjia e dhënë, të krijohet ideja se Shensoj mund të jetë një kandidaturë për pankinën e kuqebluve, duket se një ofertë e tillë nuk është marrë fare në konsideratë nga drejtuesit e Vllaznisë dhe të Bashkisë së Shkodrës, duke e hedhur poshtë menjëherë një gjë të tillë. Edhe sikur të insistojë Shensoj për të marrë drejtimin e kuqebluve, krerët e klubit shkodran nuk janë për një alternativë të tillë, pasi kërkojnë një trajner më potent në krye të skuadrës për sezonin e ardhshëm. Ndërsa për menaxherin e tij Erkand Sulejmani dhe vetë teknkun Shensoj, vetëm marrja në konsideratë nga drejtuesit e Vllaznisë, një gjë e tillë, do të ishte luks dhe privilegj për ta, pavarsisht nëse do të nisin bisedimet apo jo.

www.shkodrasport.com