Trajneri i kombëtares shqiptare të peshëngritjes Genc Barkiçi është kthyer dje nga Turqia ku ka qenë me ekipin në Kampionatin Europian dhe duke analizuar rezultatet e arritura, shprehet mjaft i kënaqur për mënyrën si shkuan gjërat. Në intervistën e tij për gazetën online www.shkodrasport.com, ai do të shprehej: “Rezultatet e larta të peshëngritjes shqiptare tashmë nuk janë më një risi. Fakti që nga çdo aktvitet ku marrim pjesë, kthehemi me medalje e tregon më së miri këtë gjë. Por rezultatet e fundit në Turqi janë më të lartat që kemi arritur ndonjëherë në historinë e këtij sporti. Titulli Kampion Europe i Erkand Qerimajt, është i pari në historinë e peshëngritjes shqiptare me të rriturit dhe po ashtu mendoj se medalje të artë ka marrë edhe Romela Begaj të cilës iu vodh ky vend nga një gjyqtar. Themi që kemi arrit majën më të lartë të këtij sporti por vetëm për momentin sepse kemi ende të bëjmë. Përpara janë Lojërat Olimpike dhe me pesë sportistët tanë që do marrim pjesë (katër meshkuj dhe një femër) do synojmë sërish rezultate të larta. Gara e Qerimajt dhe e Begajt në Turqi, na jep shumë shpresë për rezultatet e këtyre dy sportistëve edhe në Londër”. Barkiçi është kthyer mesditën e djeshme nga Turqia pasi është mbyllur krej Kampionati Europian dhe i fundit që e ka mbyllur atë ka qenë peshëngritësi shkodran Isa Bala. Duke folur për garën e këtij sportisti, ai do shprehej: “Bala në stilin e shkëputjes bëri një paraqitje të mirë por nuk arriti ta bëjë edhe në shtytje teksa dështoi në të tre provat prandaj dhe nuk u klasifikua në dygarësh. Një gabim që nuk duhej të ndodhte megjithatë sporti i ka këto”. E rëndësishme është që tashmë kemi një Kampion Europe dhe Shqipëria është krenare për Erkand Qerimajn. Krenar për këtë sportist është edhe Genc Barkiçi i cili ka punuar plot tetë vjet me këtë sportist, me të cilin ka patur jo pak suksese.

www.shkodrasport.com