Sporti shkodran sot ka humbur një tjetër emër të shquar të tij. Bëhet fjalë për ish- mundësin e Vllaznisë Jonuz Rustemi (Bajri). Ai është ndarë nga jeta në moshën 77 vjeçare por ka lënë pas një emër shumë të mirë në këtë sport dhe jo vetëm.

Ka lindur në vitin 1941 dhe nis të merret që herët me mundje. Me të rinjtë merr pjesë në kampionatin e vitit 1959 e më pas kalon me të rriturit ku tregon një formë shumë të mirë sportive duke qenë gjithmonë në mes më të mirëve.

Duke u stërvitur nga trajneri Qazim Elbasani, ai i ka shërbyer jo pak Vllaznisë përkrah emrave të tillë të këti sporti si Gjovalin Çuni, Ymer Gruda, Sul Rama, Halil Gelqerja, Hamza Çela, Fejzi Lahi, Gjon Leka, Metush Gerçari, Naim Pepa, Dushan Vaso, Eljaz Guri, Ali Murrizi, Nikoll Grimaj, Besim Piranaj, Gegë Paloka etj.

Për pak kohë ka përfaqësuar edhe Besëlidhjen e Lezhës. Në vitet e fundit të karrierës përveçse si sportist, bën edhe detyrën e zëvendëstrajnerit duke qenë pranë trajnerit Qazim Elbasani dhe duke nxjerrë nga duart e tyre shumë kampionë.

“Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet familjes Rustemi (Bajri) për humbjen e njeriut të saj të dashur por njëkohësisht edhe komunitetit të mundjes shkodrane për humbjen e një pjestari të denjë të tij.
I përjetshëm qoftë kujtim yt Jonuz Rustemi (Bajri)!
© shkodrasport.com