Ditën e djeshme në Shkodër është organizuar një aktivitet shumë i bukur nga Federata Shqiptare e Atletikës dhe Klubi Shumësportësh Vllaznia. E emërtuar “Dita e Kërcimeve”, ajo është shoqëruar edhe me dekorimin e dy figurave të shquara të atletikës shkodrane në vite, Arben Mllojës në garën e kërcimit së gjati dhe Gëzim Dimnakun për trehapëshin. Ata kanë marrë titullin “Nderi i Federatës” me motivacionin: “Në shenjë mirënjohje dhe falenderimi për kontributin e shquar në sportin e atletikës, rekordmen dhe kampion në vite, në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare”. Ky ka qenë një vlerësim për këta dy figura të njohura. Kanë qenë të pranishëm në këtë ceremoni presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, nënkryetari i Bashkisë Shkodër Ritvan Troshani, shefi i klubit Vllaznia Gëzim Mema etj. Titujt e shumtë kampion për Mllojën dhe Dimnakun kanë qenë shtysa kryesore e këtij nderimi. Sigurisht që ata e meritojnë, ashtu si shumë të tjerë shkodranë që kanë shkëlqyer në shumë disiplina sportive. Këtë herë ishte rradha e kërcyesve. Dimnaku nuk ka qenë i pranishëm në këtë ceremoni pasi ndodhet jashtë vendit prej vitesh dhe çmimin e kanë marrë familjarët e tij ndërkohë që Mlloja është parë shumë i emocionuar në momentin e nderimit.
Gjergj KOLA