Tekniku i Vllaznisë, Hasan Lika, kërkon që të përfitojë nga kjo ndërprerje e kampionatit. Ai pasi ka zhvilluar një takim miqësor me ekipin e Laçit, ka kërkuar që skuadra e tij të vijojë ditën e hënë punën për takimin me Dinamon. Ndërprerja e kampionatit ka ndikuar jo pak në planin stërvitor të skuadrës së përgatitur nga stafi teknik.
Vllaznia
Megjithatë, trajneri Lika duket se do ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme këtë periudhë për të rritur më shumë formën e lojtarëve të tij. Ai tashmë ka të gatshëm të gjithë futbollistët, pavarësisht se disa prej tyre nuk kanë qenë në 100% të formës së tyre për këtë fundjavë.
Kjo ndërprerje do të vlejë më shumë edhe për sa u përket lojtarëve që kanë ardhur nga dëmtimet. Pavarësisht se u përfol se mbrojtësi Renato Malota, kapiteni Gilman Lika dhe mesfushori tjetër Arsen Hajdari ishin të gatshëm, sërish ata nuk e kishin kapur formën e tyre maksimale.
Këto ditë deri në fundjavën e ardhshme do të vlejnë po ashtu edhe për një rikuperim të plotë të tyre. Ata do të jenë në një gjendje optimale për ndeshjen ndaj bluve që do të luhet në “Reshit Rusi”.
MIQËSORJA
Vllaznia zhvilloi të premten një miqësore me Laçin në transfertë, sfidë që u mbyll në barazim 1-1. Edhe sipas teknikut Lika, ai takim vlejti për të parë më mirë lojtarët e rinj dhe ata që nuk kanë pasur shumë hapësirë gjatë kësaj pjese të sezonit.
Tekniku ka mbetur i kënaqur edhe me lojtarët e tjerë që kanë pasur minuta të plota dhe të pjesshme gjatë këtyre javëve të sezonit.
Drejtuesit do të shikojnë edhe mundësinë e ndonjë miqësoreje tjetër nëse nuk do të ketë një vendim për rifillimin e kampionatit. Shkodranët kërkojnë që të mbajnë në tonus skuadrën, e cila udhëheq me plot meritë Grupin A të Kategorisë së Parë. Vllaznia do të luajë dy ndeshje në shtëpi, fillimisht do të presë Dinamon dhe më pas Besëlidhjen, ku në të dyja përballjet do kërkojë fitoren.