Akademia “Vllaznia” çdo vit prodhon talente dhe madje afro 10 lojtarë shkodranë, çdo periudhë vere shpërndahen në ekipet e Veleçikut, Adës, Besëlidhjes apo edhe në skuadra të ndryshme të Superiores dhe Kategorisë së Parë.

Një nga këta lojtarë është edhe mesfushori i Adës, Mikel Keshtejaku, që ka qenë pjesë e moshave të Vllaznisë deri në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, ndërkohë që tashmë është bërë pjesë e Adës, karriera me të cilën ka nisur me gol.

Keshtejaku arriti që të shënojë dje ndaj Murlanit dhe ky është goli i parë i tij me fanellën e Adës. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, futbollisti që ende nuk i ka mbushur 19 vjeç, Mikel Keshtejaku, tregon aventurën e re me velipojakët, teksa foli edhe për ndeshjen e djeshme ndaj Murlanit, një ndeshje e kontestuar nga kampi kundërshtar për shkak të gjykimit.

“Dje ndaj Murlanit ishte një ndeshje e fortë, që në fund arritëm që të fitojmë. Unë jam sportist dhe detyra ime është të bëj maksimumin në çdo ndeshje dhe jo të gjykoj arbitrin e ndeshjes.

Unë mendoj se zhvilluam një ndeshje të mirë dhe arritëm të fitojmë. Kjo është e rëndësishme për mua dhe skuadrën.

Jam ndjerë mirë gjatë kësaj periudhe te Ada. Ishte kënaqësi goli i parë me këtë ekip, ku shpresoj të shoqërohet me të tjerë”,-thotë ai.

Ndër të tjera, Keshtejaku flet edhe për synimet që ka me këtë skuadër në vazhdimësi, teksa ka edhe një dedikim të veçantë për golin e shënuar dje nga ana e tij.

“Me Shënkollin është një ndeshje e rëndësishme për ne, ku shpresojmë të dalim me një rezultat pozitiv nga kjo transfertë. Objektivi jonë është të ngjitemi në mesin e tabelës, pasi besoj se mund t’ia dalim.

Golin ia dedikoj të gjithë shokëve të ekipit, të cilët më kanë pritur në mënyrën më të mirë të mundshme, duke më bërë të ndjehem si në shtëpinë time”,-mbylli prononcimin e tij, mesfushori i Adës, Mikel Keshtejaku.
Maringlen ZHIVANI