Ylli portugez, Cristiano Ronaldo nuk po përjeton eksperiencën më të mirë te Manchester United në Premier League.

Shumë situata të ndodhura me “djajtë” nuk e kanë ndihmuar portugezin të japë 100% e tij për të ndihmuar skuadrën në marrjen e rezultateve pozitive.

Barazimi i fundit kundër Southamptonit të Armando Brojës, e vuri CR7 në qendër të kritikave, duke marrë shkas edhe nga një mundësi e artë për të shënuar që nuk e shfrytëzoi dot, kur ishte me portën e boshatisur.

Siç duket viti 2022 nuk është më i mirë për sulmuesin luzitan, i cili nuk ka arritur të shënojë asnjë gol dhe nuk ka dhënë as asiste gjatë kësaj periudhe.

“Ai duhet të shënojë më shumë gola sepse ne po krijojmë raste. Ai nuk ka shënuar mjaftueshëm, por nuk është vetëm problemi i Cristianos. Kjo u ndodh edhe lojtarëve të tjerë,” rrëfeu Ralf Rangnick përpara se të përballej me Southampton, e cila u mbyll me barazimin 1-1, por portugezi nuk arriti të realizonte. Ai nuk ka realizuar që nga 30 dhjetori kundër Burnley, që do të thotë se CR7 nuk ka shënuar në 6 ndeshje të luajtura me “djajtë e kuq” në këtë fillim viti, statistika këto që nuk ndodhin prej vitesh.

Por përveç kësaj, portugezi vazhdon të jetë lojtari më i mirë i Manchester Unuted këtë sezon, ku në 27 ndeshje në të gjitha garat ku ka marrë pjesë ka arritur të shënojë 14 gola.

6 prej këtyre golave ​​kanë qenë në pesë ndeshje të Champions League. Megjithatë, golat janë “zhdukur” në gjashtë ndeshjet e fundit kundër Wolves, Brentford, West Ham, Middlesbrough, Burnley dhe Southampton.

Kjo gjendje e Ronaldos ndikon për pozitivisht te Altetico Madrid që do duhet të përballet me Manchester United për Champions League.