Vllaznia tashmë është zyrtarisht në 2 ditët e fundit të përgatitjeve për ndeshjen në Conference League kundër Univ.Craiova. Shkodranët po bëhen gati për duelin e parë zyrtar të këtij edicioni dhe gjithçka nis nga një duel shumë i fortë në kupat europiane.

Tek kuqeblutë po përgatiten me ritmin dhe dëshirën e duhur për të bërë sa më mirë. Por ajo që mund të quhet se “çalon” tek 9 herë kampionët e vendit është eksperienca në duelet europiane.

Kështu që përjashto vetëm Liridon Latifin, futbollistët e tjerë të Vllaznisë kanë pak ndeshje në karrierën e tyre ku janë aktivizuar në takime të tilla. E një gjë të tillë e kompenson stafi drejtues i Vllaznisë që mund të “shesë” eksperiencë me shumicë tek futbollistët e tyre.

Duke filluar nga trajneri Mirel Josa që në karrierën e tij ka shkëlqyer si mesfushor tek Tirana. Dhe përfaqësimet e tij me bardheblutë në Europë kanë qenë të shumta. Madje kryeqytetasi mund të krenohet edhe me golat e tij kur luante me 17 Nëntorin e famshëm kundër Dinamos së Bukureshtit dhe Hamrun apo edhe rrjeta e paharrueshme me kombëtaren shqiptare kundër Belgjikës në fitoren 2-0 të vitit 1984.

Nuk duhen harruar as dyshja shkodrane e stolit kuqeblu. Vioresin Sinani është ai që do mbesë gjithmonë në memorien e tifozëve shkodranë me golat e tij. E po ashtu do kujtohet edhe goli kundër Galatasaray në vitin 2001 në kualifikueset e Champions League. Pas nuk ngelet as Auron Miloti që me Tiranën gjatë karrierës së tij shënonte në një ndeshje europiane kundër Fandok Bodruisk.

Eksperienca, trofetë dhe golat nuk mungojnë aspak nga stafi i Vllaznisë. E këtë patjetër që do e përçojnë edhe tek futbollistët që do hedhin në fushë, në mënyrë që të ketë një përfaqësim sa më dinjitoz në duelin e fortë kundër rumunëve të Craiovas.

Endri ÇINARI