Dhjetorin e kaluar, kur u njoftua transferimi i Cristiano Ronaldos tek Al Nassr, shumë nuk e besuan lajmin, lëre më atë që tashmë po bëhet realitet nga dita në ditë: shkuarja progresive dhe masive e futbollistëve të spikatur në Pro Ligën Saudite.

Portugezi ishte i pari që mbërriti në këtë përpjekje të vendit arab për të pasur ligën më të mirë në botë dhe për të treguar ndryshimet që po ndodhin në Arabinë Saudite. Më pas u transferua Karim Benzema, veteran si CR7, por tani po i ndjekin edhe talentet e rinj. Argumenti për të bindur lojtarët dhe trajnerët nuk ka qenë tjetër veçse paratë. Shumë para.

Joshja e Gabri Veiga (21 vjeç) ka ndezur zilet e alarmit, por e vërteta është se tashmë janë të shumtë lojtarët që janë pjesë e një lige si ajo saudite, që nga anonime ka kaluar në ndjekje të gjerë nga fansat. Që nga protagonistët e mëdhenj të këtij sporti, futbollistët, e deri te trajnerët presin t’u bjerë zilja e celularit për të marrë një nga ato ofertat e parezistueshme.

Frika se çfarë mund të ndodhë në ditët dhe muajt në vijim është instaluar tashmë në futbollin europian, i cili ka dëshmuar se nuk mund të bëjë asgjë përballë fuqisë ekonomike të Pro Ligës Saudite. Pyetja qëndron në njohjen nëse ka kufij për atë që po ndodh. Çdo treg është një botë dhe ka rregullat e veta.

FIFA nuk ka fuqinë të vendosë kufijtë e ligave lokale apo kampionateve kombëtare. Për më tepër, as vetë konfederatat nuk mund t’i ndalojnë situata të ngjashme. Çfarë ka ndryshuar? Injektimi i qindra milionëve nga qeveria saudite. Derisa të mbarojnë…; vështirë t’u bëjë ballë kush.

Ajo që kontrollon FIFA është që të plotësohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe paratë nga transfertat të arrijnë në destinacionin e tyre, por çdo kampionat vendos rregullat e veta kur bëhet fjalë për shpenzimet dhe kontrollin ekonomik.

Gjithçka që lidhet me nënshkrimet dhe transferimet është përgjegjësi e FIFA-s, por jo kostoja e skuadrave, për sa kohë që ato përgjigjen sipas neneve të kontratave. Në fakt, disa klube saudite, si Al-Hilal, janë penalizuar për mos kryerjen e disa pagesave karshi klubeve të tjera.

Tani, si FIFA, ashtu edhe UEFA shikojnë gjithçka që ndodh në Europë dhe futbollin arab, por nuk mund të bëjnë asgjë për të ndaluar shthurjen ekonomike. Nëse respektojnë kontrata, sauditët do të vazhdojnë me projektin e tyre, i cili sipas organit më të lartë botëror të futbollit duket se është serioz për të organizuar Kupën e Botës 2034.

Përforcimi i Pro Ligës Saudite ka si qëllim strategjik fitimin e të drejtës për zhvillimin e Kupës së Botës 2034. “Duam të kemi 300 lojtarët më të mirë në botë”, – thoshte Princi Mohamed Bin Salman, shumë i qartë për këtë. Një synim për të ardhmen, por pak nga pak duket se mund të jetë më shumë se një ëndërr dhe të bëhet realitet tejet sfidues, gërryes e madje shkatërrues për klubet europiane.

Rrjedha e lojtarëve që shkojnë në vendin arab nuk po ndalet. Qeveria saudite përmes fondeve të ndryshme ka “zgjidhur qesen” dhe po i ndihmon skuadrat të punësojnë futbollistë të nivelit të lartë. Ata ishin shumë pranë Leo Messit, të cilin e tunduan me një ofertë që dukej e pakundërshtueshme, por në fund argjentinasi zgjodhi propozimin e Inter Miami.

Paraja lëviz gjithçka, në sportet profesionale ka ndikim edhe më shumë. Arabia Saudite ka vendosur të qëndrojë në sulm, nuk i ka mjaftuar që bleu një skuadër angleze si Newcastle. Tashmë aspiron për të blerë Manchester United.

Arabët po ia dalin të marrin emra të shquar, siç e tregon edhe lista e futbollistëve që tashmë kanë mbërritur atje: Cristiano Ronaldo, Benzema, Koulibaly, Neymar, Bono, Kessie, Firmino, Mané, Fabinho, Mahrez. Të gjithë mund të luanin titullarë të padiskutueshëm në 5 ligat më të forta europiane. Ky numër tashmë do të duhet të rritet në 6 top-liga, duke pasur parasysh fuqinë e kampionatit arabo-saudit./telesport/