Këtë sezon Kukësi është munduar t’i evitojë polemikat me gjykimin, sidomos pas uljes në pankinë të Rraman Hallaçit, i cili më shumë është fokusuar te skuadra e tij. Mirëpo, me Teutën në të dyja ndeshjet e Kupës, verilindorët u ndëshkuan jo pak, duke i nxjerrë jashtë këtij kompeticioni që mund t’u jepte shansin të shkonin në Kupat e Europës.

Më vendimtare ishte ajo penallti e mohuar ndaj Barbosës në fundin e sfidës, çka do t’u jepte mundësinë verilindorëve ta dërgonin ndeshjen në shtesë nëse do të shënonin. I pari që reagoi ishte vetë Hallaçi pas ndeshjes, duke e konsideruar si një mundje dhe një penallti të padhënë në favor të tyre, por kërkoi që ky moment të lihet pas, pasi ajo që ndodhi nuk zhbëhet më, duke mos krijuar polemika të tjera.

LOJTARËT– Sakaq, pas ndeshjes kanë qenë vetë disa prej lojtarëve kryesorë të Kukësit që kanë reaguar për atë 11-metërsh të mohuar, të cilët kanë zgjedhur rrjetet sociale për të shfryrë dufin. Fillimisht kapiteni Gjelbrim Taipi thumbon kryesorin Juxhin Xhaja, duke treguar edhe momentin e dyshimtë në minutat shtesë të kësaj ndeshjeje. “Arbitri më i mirë i vitit në Shqipëri. Në Europë s’do të ishe as arbitër i 4- t”, shkruan kapiteni në llogarinë e tij për kryesorin e kësaj sfide.

Për këtë moment ka reaguar edhe mbrojtësi Edison Ndreca, teksa krah pamjeve jep edhe thumbimin e tij për këtë rast: “Edhe mundja lejohet”, shkruan mbrojtësi i verilindorëve, duke perifrazuar në njëfarë mënyre edhe fjalët e Hallaçit pas sfidës. Nuk mungoi as reagimi i vetë protagonistit te kjo ndërhyrje e brazilianit Gabriel Barbosa, i cili e përshkruan si një situatë të përsëritur. “Gjithmonë e njëjta gjë”, shkruan 23-vjeçari i verilindorëve, i cili mesa duket edhe në të kaluarën është gjendur në situata të tilla, kur i kanë mohuar penallti.

Në fakt, Teuta është ekipi që u ka bërë “dëmet” më të mëdha verilindorëve këtë sezon, ku përveçse e eliminoi nga Kupa dhe e bëri të pavlefshme fitoren minimale, në tri ndeshjet e kampionatit i ka shkaktuar dy humbje dhe kanë marrë një barazim. Së bashku me Vllazninë, janë ekipi i vetëm këtë sezon që kuksianët nuk kanë arritur të fitojnë një ndeshje.

ERZENI- Gjithsesi, edhe pse eliminimi në Kupë djeg, edhe për mënyrën se si erdhi në këto dy ndeshje, në Kukës tani do të jenë të fokusuar tërësisht në ndeshjet e kampionatit. Përballja e radhës është me Erzenin në qytetit e Durrësit, me verilindorët që do të kërkojnë vazhdimësinë në kampionat. Blutë vijnë pas tri fitoresh radhazi dhe do të përpiqen të thyejnë edhe këtë rekord, të arrijnë katër, gjë që nuk e kanë bërë asnjëherë këtë sezon. Në sfidën e së shtunës Hallaçi pritet ta ketë grupin e lojtarëve të plotë, në një kohë që skuadra e ka rritur shumë nivelin e lojës së saj, duke marrë edhe rezultatet.